Prej më shumë se 1-viti rrjeti i ndriçimit publik në qytetin e Beratit vidhet e dëmtohet nga persona të papërgjegjshëm, por deri tani askush prej tyre nuk është vënë para përgjegjësisë ligjore.

Ky akt i shëmtuar për një qytet me kulturë e histori mijëra-vjeçare, siç është Berati, ka bërë që bashkia të nisë rehabilitimin e rrjetit të dërmtuar të rrjetit elektrik publik në të gjithë qytetin. Për kryetarin e bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ajo që po kryhet me ndriçimin publik në qytet cilësohet “vandalizëm”.

“Unë kam një problem thelbësor me ndriçimin publik në qytet. Është “vandalizmi” i shëmtuar i personave të papërgjegjshëm në qytet,të cilët dëmtojnë në mënyrën më skandaloze këtë rrjet, duke mos marrë në konsideratë asnjë lloj vështirësie që ata i sjellin qoftë bashkisë për ta zëvendësuar apo qoftë jetës së banorëve.Kjo shihet duke filluar që nga lagjet muzeale, ku çdo javë ka shtylla ndriçimi që thyhen e dëmtohen dhe për këto vjedhje e dëmtime ne kemi njoftuar edhe Drejtorinë Vendore të Policisë së Beratit,për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë këta persona të papërgjegjshëm. Për këta persona forca e ligjit duhet të jetë maksimale dhe asnjë prej tyre nuk do të tolerohet sepse dëmtimet që ata bëjnë në rrjetin e ndriçimit pubik jo vetëm që na krijojnë pamundësi për ta zëvendësuar për shkak të kapaciteteve të kufizuara të bashkisë por e bëjnë jetën e qytetarëve edhe më të vështirë dhe qyteti nuk prezantohet në mënyrën e tij më dinjitoze përpara turistëve, sidomos në zonat muzeale. Këto vandalizma e kthejnë në shumë raste ndriçimin publik në qytet edhe në një rrezik serioz për jetën e banorëve që i kanë pranë”-ka thënë Demo.

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo u bën apel të gjithë qytetarëve të Beratit dhe kërkon ndihmën e tyre,që të ndërgjegjësohen për të ruajtur ndriçimin publik dhe për të denoncuar çdo vjedhje që ata ata konstatojnë në rrjetin e ndriçimit publik në qytet.

Demo shpjegon edhe ecurinë e punës në këtë sektor, duke deklaruar se, bashkia ka implementuar një program të mirëfilltë përsa i përket rehabilitimit dhe mirëmbajtjes së ndriçimit publik në bashkinë e Beratit.

“Prej disa ditësh ne kemi filluar rehabilitimin e këtij rrjeti, që ka filluar me zonat muzeale dhe do të shtrihet në të gjithë rrjetin ekzistues të ndriçimit publik në territorin e bashkisë së Beratit,ku do të zëvendësohet dhe rregullohet çdo problem teknik që ka rrjeti ekzistues si dhe do të shtohet rrjeti ekzistues me 25% më shumë ndriçim publik. Kjo shtesë në ndriçimin publik,jo vetëm që do të mbulojnë edhe ato zona me intensitet të lartë të popullsisë në qytet ku nuk ka pasur ndriçim por edhe disa njësi administrative,për ti bërë këto zona më të sigurta për banorët”-ka pohuar Demo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb