Klopp është thjesht një kujtim i bukur në Liverpool, pasi të kuqtë po shkëlqejnë me Arne Slot në stol, kryesojnë në Premier League dhe në Champions. Tekniku holandez po bën një punë të shkëlqyer, ndërsa së fundmi është përfshirë personalisht për të bindur tre titullarë shumë të rëndësishëm, Mohamed Salah, Alexeander Arnold dhe Virgil van Dijk, të tre në skadencë kontratë në fund të këtij sezoni.
Sipas Daily Star, drejtuesit e klubit, edhe me bekimin e Slot, i kanë ofruar të tre lojtarëve rinovimin e kontratës. I pyetur për Salah, Slot nuk i kurseu elozhet: “Sa herë kemi nevojë për të ai shënon. Shpresojmë shumë që mund të qëndrojë me ne edhe për shumë kohë”, u shpreh shkurtimisht Slot.
Gjithnjë sipas mediave angleze, mes Salah dhe Liverpool ka një ndryshim total pasi tani palët janë afruar dhe po diskutojnë rinovimin e kontratës edhe për dy sezone të tjera, madje janë shumë pranë gjetjes se një akordi.
Pavarësisht moshës, Salah po zhvillon një super sezon duke kryesuar listën e golashënuesve më të mirë në Premier League me 13 gola të shënuar.
(BalkanWeb)