KORCE- Struktura e re e policisë e cila u firmos më 9 maj nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka nisur të implementohet edhe në Policinë e Korçës, ku janë formalizuar shkrirja e disa sektorëve si ai i Krimit Ekonomik dhe Antidrogës, dhe janë krijuar sektorë të rinj.

Këto ndryshime pritet që të sjellin edhe emërime të reja në funksion të sektorëve të rinj.

Ndryshime ka pësuar edhe Policia Rrugore e këtij qarku e cila me strukturën e re do të marrë më shumë autonomi.

Një ditë më parë është larguar nga detyra Shefi i Qarkullimit të Korçës dhe Pogradecit, të cilët do të ushtrojnë detyrën e Shefit të Rendit. Më shumë se 50% e efektivëve të këtij sektori do të transferohen në sektorin e rendit, ndërsa në sektorin e qarkullimit priten emërime të reja.

Ish-shefi i Qarkullimit të Korçës do të mbajë pozicionin e shefit të Rendit në Maliq, ndërsa shefi i Qarkullimit të Pogradecit do të mbajë pozicionin e shefit të Rendit në komisariatin e Pogradecit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb