Deputeti socialist, Arben Pëllumbi, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për Kongresin e Partisë Socialiste, që ka nisur ditën e sotme dhe do të zgjasë tri ditë.

Deputeti Pëllumbi tha se sot ishte në fokus të Kongresit forumi i grave dhe riorganizimi i kësaj strukture, ndërsa ditët në vijim do të ketë paraqitje të pjesës së qeverisë, ministrave dhe fjala e kryeministrit, ku vendin kryesor do e zërë rindërtimi.

Gjithashtu, deputeti theksoi se do të zhvillohet dhe një pjesë e Kongresit me dyer të mbyllura, ku do të diskutohen punët e brendshme të partisë dhe ndryshimet që pritet të bëhen brenda saj.

Intervista:
Jemi në prag të Kongresit të PS, çfarë do shpalosë?
E kemi bërë të ditur, Kongresi jonë fillon sot dhe zgjat tre ditë. I kemi dhënë rëndësi sot forumit të gruas dhe një riorganizimi të kësaj strukture, për të sjellë në vendimmarrjen e PS sa më shumë vajza e gra. Në seancën e parë kemi një paraqitje të pjesës së qeverisë, disa ministrave, fjalën e kryeministrit, ku vendin kryesor e zë rindërtimi, por edhe reformat e tjera. Pjesa e dytë e Kongresit ka të bëjë me punët e partisë sonë, do jetë një seancë me dyer të mbyllura, ku do jenë dhe disa ndryshme do të bëjmë në parti. Pjesa tjetër është asambleja.

Disa anëtarë të PS, që kërkojnë largimin e Ramës, cili është komenti juaj?
PS nuk do të kishte kuptim pa pasur situata të tilla. Ne kemi shqyrtuar sot mocionin, sepse PS e drejton përfaqësia e Kongresit. Përfaqësia ka vënë re se mocioni ka disa defekte, në sensin e prezantimit të tij, pra nuk plotëson kushtet për t’u paraqitur në Kongres. Disa nga ato gjëra që janë hedhur në mocion jemi duke i implementuar. PS është një forcë gjithmonë në rinovim dhe transformim, kështu që është normale kur thonë që partia duhet reformuar. Më vjen keq që firmëtarë janë edhe disa figura të vjetra të PS, si z.Dade. Por, që tani ka një lloj largësie nga PS. Janë disa akuza që sot i artikulon opozita ndaj nesh, por ne nuk pengojmë asnjë.

A kanë të drejtë këta socialistë të kërkojnë kufizim të mandatit të kryetarit të PS?
Kur bëjmë fjalë për kryetarin e një partie politike ajo që e kufizon është fitorja ose humbja në zgjedhje. Më duket e tepërt ky lloj përkufizim, në veçanti për kryetarin tonë. Ne kemi bërë një ndryshim në referendum për kryetarin e PS, ku kryetari zgjidhet përmes procesin ‘një anëtar, një votë’. Kështu, nëse kryetari arrin të fitojë një palë zgjedhje, ai në mënyrë automatike rinovon mandatin e tij. Po fitoi zgjedhjet, sigurisht që e ka rifituar edhe mandatin.

Manifestimi i 2 marsit, si e shihni, a ka të drejtë presidenti kur thotë se po dhunohet Kushtetuta?
Qëndrimi i PS në raport me deklarimet e Presidentit është i njohur. Ne si forcë politike dhe si mazhorancë i kemi mbajtur qëndrimet. Presidenti është artikuluar me nota jo të duhura, në mënyrë të veçantë ndaj parlamentit. Shqipëria është Republikë Parlamentare, jo Presidenciale, kështu që është parlamenti i pari, që merr masa për të zgjidhur ngërçe apo kriza të caktuara, që mund të dëmtojnë mbarëvajtjen e shqiptarëve.

Në rolin e presidentit, dalja në protestë më duket absurde, nuk di çfarë fjale ti vë, sepse Presidenti duhet të jetë garanti i Kushtetutës, por edhe uniteti i kombit.
Nuk kemi pse të besojmë se Presidenti ka të drejtë në të gjitha rastet, nuk i takon të nxjerrë njerëz në rrugë. Nuk besoj se presidenti e do Kushtetutën e Shqipërisë më shumë se e dua unë.

Në ç’pozicion e shihni ministren Gjonaj?
Debati mes Dvoranit, Metës, Gjonajt, është një debat tërësisht profesional dhe duhet të ngelet i tillë. Ne kemi një konflikt sot që duhet të zgjidhet, që është mes Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Asnjë lloj force, forumi apo përfaqësuesi nuk mund ta gjejë zgjidhjen te turma dhe te njerëzit.

Nëse njerëzit do të jenë shumë, do mbushin bulevardin, a duhet të ketë reflektim nga qeveria?
Unë kam qenë i parimit që asnjëherë sasia e njerëzve në bulevard nuk duhet të jetë imponuese. E para, abuzojmë shumë me shifrat, kur nxjerrim njerëz në bulevard, që të gjithë. Ajo që është e rëndësishme, mund të nxjerrë Presidenti njerëz shumë në bulevard, por po sikur ne të nxjerrim më shumë ditën tjetër? Pra, asnjëherë nuk është zgjidhja me sa njerëz nxjerrim në shesh, nuk është zgjidhje rruga. Zgjidhja duhet të jetë institucionale. Njerëzit në rrugë nuk dalin për të kuptuar nëse ka të drejtë njëra apo tjetra palë. Në një demokraci funksionale nuk është turma ajo që sjell zgjidhjen. Protestat janë formë demokratike, por kur vijnë në formë natyrale, të panxitura nga partitë politike, atëherë duhen dëgjuar.

Komisioni për shkarkimin e Metës…
Duhet të vazhdojë të ngrihet, sepse i është ngarkuar një detyrë nga Kuvendi, por është i detyruar të presë opinionin e Venecias, që mendoj do të mbërrijë shpejtë, javën e parë ose të dytë të marsit. Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë mendimit, që kemi kërkuar, për shkarkimin e Presidentit, sepse ai ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese. Por, ne nuk jemi specialistët më të mirë të fushës, ndaj duhet Gjykata Kushtetuese.

Zgjedhje të parakohshme?
Është brenda parametrave demokratik, që një opozitë të kërkojë zgjedhje. Ne në Kongres nesër do t’i paraqesim Kongresit agjendën politike të PS deri në vitin 2021, që do të thotë se ne i kemi zgjedhjet në qershor 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb