Prej më shumë se 1 viti është diskutuar për ndryshime në qeverinë Rama, por përvec largimit të Shkëlqim Canit dhe kalimit të Arben Ahmetajt nga Ekonomia tek Financat, nuk ndodhi më shumë. Ndërsa zërat në media shtohen përdite duke shkruar se, ndryshime do të ketë dhe se do të jenë 4 ministra që do të largohen së shpejti për t’u zëvëndësuar me emra të rinj, duket se së fundmi është hedhur një ide pajtimi mes Edi Ramës dhe aleatit të tij në qeverisje, Ilir Metës. Për të mos lënë Metën t’i largohet nga koalicioni, të paktën jo para përfundimit të mandatit qeverisës, duket se mes tyre është arritur pakti, që të ndryshohen dy ministra. Flitet se mund të ndryshohen ministri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm, bashkë me 2 të tjerë.

Këto lëvizje duket se bëhen që LSI të mos shohë mundësinë e largimit nga kolicioni në fund të mandatit.
Por, a është kjo manovër e Ramës apo fantazi në diell e mediave që sot shkruajnë më shumë se kurrë për ndryshime të mundshme në qeveri?

E përditshmja “Koha Jonë” ka shkruar sot se sipas burimeve të saj qeveria Rama do të ketë ndryshime drastike në përbërjen e saj. Janë gati katër ministra të rinjë për të zëvendësuar katër ministra aktual.

Siç lexohet nga kjo e përditshme ministrat që pritet të emërohen janë Arta Dade, Anastas Angjeli, Bashkim Fino e Fatmir Xhafa.
“Edi Rama ndjen se kuotat qeverisë kanë rënë shumë. Po shkohet drejt zgjedhjeve të radhës ose mundet në rast krize me LSI edhe në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vjeshtë. Duke e ndjerë se shumë ministra të tij janë me minus kuota publike ka filluar të projektojë ndryshime në ministra. Për momentin siç e akuzon publikisht Ben Blushi se Rilindja ka pushtuar PS-në dhe në popull mbetet PS-ja që merr vota si dhe duke ditur se sot vetëm Blendi Klosi vjen nga radhët e socialistëve, ndërsa të gjithë ministrat e PS-së janë “Rilindas” Kryeministri do të marrë në kabinetin qeveritar emra të njohur të PS-së si Arta Daden, Anastas Angjelin , Bashkim Finon dhe Fatmir Xhafën.
Bisedimet me një pjesë janë kryer ndaj pritet vetëm se kur Rama do të vendosë të bëjë ndryshime. Natyrisht deri në fund të këtij sesioni parlamentar në korrik nuk ka gjasa ti bëjë ndryshimet. Por me shumë kanë filluar në selinë rozë të flasin se cilët ministra do të ikin. Pasi vijnë katër, por cilët janë katër emrat që ikin nga postet e tyre. Arta Dade njeh shumë mirë diplomacinë. Ka qenë edhe ministre e jashtme dhe në kohën e saj diplomacia pati suksese edhe për shkak të elegancës së saj diplomatike dhe eksperiencës në politikë. Anastas Angjeli njeh mirë financat dhe ekonominë, por duket Arben Ahmetaj ka rrënjë të forta tek Kryeministri si anglishtfolës e jurist dhe mbetet tek financat, Fatmir Xhafa drejtësinë e njeh mirë, por Ylli Manjani nuk lëshon kuota, pasi po punon me karizëm e profesionalizëm, ndërsa Bashkim Fino bën çdo dikaster.
Pra a ikin Damian Gjiknuri, Eglantina Gjermeni, Ditmir Bushati dhe Ilir Beqja? Sikurse flitet se Mesila Doda vjen nga PDIU dhe zëvëndëson Mirela Kumbaron.
Të sigurtë janë katër ministra që ikin…”, shkruan kjo gazetë.

Ndryshimi i ministrave pritet të ndodhë kur nuk u mbetet as 1 vit i plotë nga mbyllja e mandatit qeverisës, 4-vjeçar.
Në sy të parë, nuk duket produktive. Dhe për më tepër nuk i përshtatet as mentalitetit dhe as premtimeve të Ramës.

Megjithatë, ndërsa mediat ziejnë mbi lajmet e ndryshimeve në qeveri, le të presim nëse katër emrat e përfolur do të jenë pjesë e qeverisë Rama, për pak muajt në vazhdim.

Ndërsa zgjedhjet mund të bëhen në pranverën e ardhshme, përpara zgjedhjes së Presidentit.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb