Prezenca e OSBE në Tiranë reagon pas arritjes së marrëveshjes mes palëve politike për Reformën Zgjedhore.

Sipas OSBE, është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre ishin konstruktive.

Reagimi i OSBE:

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret marrëveshjen ndërpartike për reformën zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, një proces thelbësor të cilin ne e kemi mbështetur prej vitesh.

Është për t’u lavdëruar fakti që të gjitha partitë politike u bënë pjesë e këtij procesi dhe që propozimet e tyre konstruktive si edhe aftësia e tyre për të bërë kompromis e për të pranuar pikëpamje të ndryshme kontribuan në një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë në Shqipëri, në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Përgëzojmë anëtarët e Këshillit Politik të reformës zgjedhore për përkushtimin e tyre të vendosur për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Ne shpresojmë që të gjitha ndryshimet e dakordësuara të miratohen në Kuvend sa më shpejt që të jetë e mundur.

Prezenca mbetet e gatshme të vijojë të mbështetë autoritetet shqiptare gjatë zbatimit të reformës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb