Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e ftuar në emisionin “FrontLine”, në “News 24”, komentoi ndryshimet e bëra tek Reforma në Drejtësi.

Sipas saj, ndryshimet e bëra janë në dobi të rregullimit të reformës dhe zgjidhjes në një kohë sa më të shpejtë të problematikave të qytetarëve.

Ndër të tjera, Gjonaj tha se, me të drejtë qytetarët kanë shumë shpresa tek SPAK-u, por sipas saj, Reforma në Drejtësi është krijuar nga themelet dhe duhet kohë e pak durim për të parë rezultate reale.

Reforma në drejtësi, pika kyç e këtyre viteve të fundit?

Etilda Gjonaj: Është një mision i pa përfunduar, ka pasur rezultate të mira. Këtë reformë e kemi ideuar, por do akoma rezultate për t’u prekur nga qytetarët. Prandaj është kryefjala e programit tonë, ku Shqipëria 2030 do e gjej vendin në një drejtësi jo vetëm të pavarur, të paanshëm, por të jetë eficente.

Zoti Rama ka përsëritur që duhet ende durim, por sa duhet të durojnë shqiptarët, për ata që kanë kryer krime të ndëshkohen?

Etilda Gjonaj: Kjo ishte një reformë tërësore, ku filloi me ndryshimet kushtetuese. U ngritën institucionet e reja, por edhe me ndryshimet e bëra së fundmi në Kuvend, do të ketë frytet e duhura. Duhet ngritur edhe Byroja Kombëtare e hetimit, por edhe pjesa tjetër e strukturës, që do të mbështesim SPAK-un. Me krijimin e Byrosë, SPAK-u do bëj punë të mira që qytetarët presin.

Nga sa jemi informuar, e ndjekur seancat nëpër komisione, reforma ka qenë në vëzhgimin e ndërkombëtarëve. Pse nuk e panë ekspertët më herët reformën, që të mos bëheshin ndryshimet?

Etilda Gjonaj: Të gjitha vonesat që janë sjellë në zbatimin e reformës, diktuan marrjen e disa masave që të sjellin energji për të sjellë rezultatet që qytetarët presin. Ne filluam me analizë me partnerët ndërkombëtarë, për të kuptuar se cila ka shkuar mirë e cila keq. Ka pasur vonesa, e duke mbajtur në konsideratë problematikat, u arrit në një plan veprimi, ku parashikuam dhe disa masa, që Reformës në Drejtësi t’i jepnim energji dhe të arriheshin objektivat më keq. Disa masa kishin të bëjnë me vendimmarrjen dhe prioritetet e vendosura nga BE. Nga ana tjetër kishte disa masa dhe aspekte financiare. Thelbësore është që nuk janë prekur parimet dhe shtyllat kryesore të Reformës në Drejtësi, ata që kanë të bëjnë me paanësinë. E gjithë paketa e darkodësuar me grupin parlamentar të PS, është punuar në Ministrinë e Drejtësisë me partnerët ndërkombëtarë, por në fund u dakordësua, që paketa që do të sillte ndryshimin do të ishte kjo.

Zoti Vasili ka pasur kritika në mënyrën që qeveria po hynte në Reformën në Drejtësi, pra sot jemi në këto kushte dhe Vasili ngre pyetjen që qeveria po prek Reformën në Drejtësi?

Etilda Gjonaj: Ky ishte një grup ndërinstitucional, nuk ishte qeveria. Kjo është arsyeja që janë certifikuar çdo nen, e këto ligje kanë kaluar nga Kuvendi, me qëllim që t’i përmbahemi formulës së Reformës në Drejtësi. E para njëherë për të mundësuar zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në një kohë më të shpejtë. E dyta që është e rëndësishme, ka të bëjë me rritjen e eficencës, janë shkurtuar numri gjykatësve në trupat gjykues, sidomos në Gjykatën e lartë, me këto ndryshime, mendohet që stoku i 38 mijë çështjeve do të zgjidhet brenda tre viteve të ardhshme, kjo ishte krijuar që para viteve 2010. Prandaj dhe Reforma e Drejtësisë u ndërmor, që qytetarët të mos prisnin kaq gjatë në Gjykatën e Lartë. Janë shtuar edhe këshilltarët, ku ky staf administrativ, do të ketë mundësi të japi ndihmë, gjyqtarëve dhe prokurorëve për gjykimin më të shpejtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb