Përfaqësuesi i mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri ka konfirmuar pjesëmarrjen sot në orën 17:30 në tryezë teksa ka kërkuar nga opozita jashtëparlamentare që propozimet për ndryshimet kushtetuese t’i dërgojnë paraprakisht tek anëtarët.

Gjiknuri gjithashtu i është përgjigjur Vasilit dhe Bylykbashit me një e-mail duke theksuar se nisma e opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese i është prezantuar PD- LSI më 21 korrik, madje i është dhënë edhe një kopje nga sekretaria.

Kjo do të thotë se sot në orën 17:00 do të mblidhet Këshilli Politik për herë të dytë për ndryshimet kushtetuese teksa nga mazhoranca do të jenë Gjiknuri , nga opozita parlamentare Murrizi- Hajdari kurse nga opozita jashtëparlamentare Bylykbashi- Vasili.

Ditën e djeshme në një e-mail të vonë Bylykbashi dhe Vasili ngritën shqetësimin se mazhoranca po i bënte fakt të kryer ndryshimet kushtetuese teksa konfirmuan nga ana e tyre se Opozita e Bashkuar nuk ka ndërprerë apo të ketë qenë kundër dialogut për këto çështje.

 

E-MAILI NGA DAMIAN GJIKNURI

Ju rikujtoj se në mbledhjen pesë orëshe të datës 21 Korrik, thërritur prej nesh, ju është prezantuar nisma e opozitës parlamentare për ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, procedura e ndjekur nga Kuvendi, varianti i dakordësuar dhe miratuar nga Këshilli i Rregullores dhe Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut bashkë me relacionin përkatës.

 

Ndonëse dokumenti ka qenë krejtësisht publik, në faqen zyrtare të Kuvendit, ashtu sikurse të gjitha seancat e zhvilluara në komisione kanë qenë të hapura e publike, meqenëse ju deklaruat se ishit në mungesë dijenie, ju dorëzua edhe zyrtarisht një kopje nga sekretaria e Këshillit Politik.

 

Në kushtet kur ju pranoni mungesën e propozimeve konkrete të cilat do duhej të ja dërgonit paraprakisht anëtarëve të Këshillit dhe duke vlerësuar gjithësesi gatishmërinë tuaj për tu takuar, ju konfirmoj pjesëmarrjen në mbledhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb