Ndërsa një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, u miratua ndryshimi kushtetues, sipas të cilit në zgjedhjet parlamentare nuk do të ketë koalicione parazgjedhore, si dhe hapja pjesërisht e listave, vjen reagimi i Presidentit Ilir Meta.

Përmes një statusi në Facebook, ku hedh një video të kryeministrit Rama, Presidenti Meta shprehet përmes ironisë: Sidoqoftë duhet të shpresojmë se nuk do bëhet një faj shumë më i rëndë se ai i vitit 2008. Një herë edhe mund të mbahet fjala se nuk bëhet kiameti!

JA CFARE THOTE RAMA NE VIDEO

Askush të mos presë dhe të mos mendojë se Partia Socialiste do ndërhyjë në Kushtetutë me nxitimin që ndërhyri 4 vite më parë (2008).
NË ASNJË MËNYRË JO!
Ne jemi të bindur se gjithmonë do bëjmë gabime, por ama ajo që e dallon një forcë të pjekur nga një forcë aventurash, është se bën gjithmonë gabime të reja, nuk bën gabime të përsëritura.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE NE 2008
Kujtojmë se me ndryshimet e reja kushtetuese në 2008 u kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal, KQZ u hoq tërësisht si institucion nga kushtetuta dhe u kalua me trajtimin një ligjin zgjedhor, u vendos mandat për Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe u ndryshua mandati i qeverisjes vendore nga tre në katër vjet. Ndryshimi thelbësor i paktës kushtetuese 2008 kishte të bënte me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mbi pozitën e Kryeministrit ndaj parlamentit.

Nga modeli i zgjedhjës së Presidentit me shumicë të cilësuar u kalua me zgjedhje me shumicë të thjeshtë në dy raundet e fundit, duke e ulur ndjeshëm peshën dhe rolin e Presidentit në jetën politike dhe institucionale. Ndryshimi tjetër i dha mundësi kryeministrit të zgjerojë kontrollin mbi parlamentin përmes mocionit konstruktiv, sipas të cilit, kryeministri me mocion besimi mund të provokojë në cdo kohë zgjedhje të parakoshme dhe se shkarkimi me mocion mosbesimi bëhet teknikisht thuajse i pamundur.

Ndryshimi kushtetues solli ndryshim edhe në jetën politike dhe institucionale, duke krijuar intepretime mbi shanset reale për garantimin e parimeve kushtetuese të transparencës, ndarjes dhe balancës së pushteteve. Më 2012 palët kryesore politike, përsëri nën presion ndërkombëtar, pas muajsh debate arritën një konsensus tjetër për ndërhyrje në Kushtetutë, – kufizimin e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë.

Ndryshimet u bënë në shtator 2012 dhe premtuan të ishin rezultati më i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit të lartë. Që nga ajo kohë asnjë zyrtar i lartë me imunitet nuk është gjykuar e dënuar me ndihmën e këtij ndryshimi, gjë që shpreh kontrastin e thellë midis arsyeve që ndërhyhet në Kushtetutë dhe rezultateve reale në aplikimin e saj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb