Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se rindërtimi e rimëkëmbja ekonomike fokusi i mazhorancës socialiste në mandatin e tretë qeveris.

“Viti që lamë pas,- u shpreh Denaj gjatë diskutimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2020 në Parlament, -është padyshim viti më i vështirë në dekadën e fundit. Por ajo që mund të themi pa diskutim, është një vit që përtej sfidave na mësoi dhe na tregoi se mund t’ja dalim së bashku, të kapërcejmë një vit të vështirë, por dhe të ringrihemi pas kësaj”.

Sipas saj, reagimi i qeverisë shqiptare në vitin 2020 mund të karakterizohet me tre tipare, shpejtësi, efektivitet dhe vizion.
“Reaguam në mënyrë të menjëhershme pas tërmetit të 26 nëntorit me një analizë dëmesh në kohë rekord dhe një konferencë donatorësh shumë të suksesshme. Goditja nga pandemia dhe mbyllja e ekonomisë shqiptare e kushtëzuar nga kjo goditje nuk na tërhoqi për të marrë masat e menjëhershme duke siguruar pagesa të drejtpërdrejta për 300 mijë qytetarë, lehtësi fiskale për më shumë se 50 mijë biznese dhe mbështetje përmes skemave të nxitjes së punësimit për më shumë se 700 biznese”, tha Denaj.

Denaj foli edhe për akuzat e ngritura nga opozita.
“Gjithmonë përpiqen të gjejnë më të vështirën dhe ta ngarkojnë atë vetëm me konotacion negativ, pa elemente shprese. Kur mbyllëm ekonominë na akuzuan pse mbyllëm ekonominë dhe nuk mbrojtëm jetën e qytetarëve dhe kur e hapëm të njëjtën akuzë se nuk kujdesemi për jetën e qytetarëve”, tha Denaj.

“Rindërtimi dhe rimëkëmbja ekonomike na treguan se mund t’ja dalim së bashku të kapërcejmë e të mësojmë të ringrihemi”.

Denaj u ndal edhe në lehtësitë fiskale të miratuar nga qeveria për të ndihmuar rimëkëmbjen.
“Siguruam për biznesin e vogël tatim fitimin zero, rritëm pragun e TVSH-së nga 2 në 10 milionë lekë duke siguruar që më shumë se 90% e bizneseve shqiptare të mos kenë pagesa të cilat më parë i konsideronin si shpenzime për buxhetin e shtetit. Pothuajse 50 milionë dollarë do ti mungojnë buxhetit, por ky është një element i rëndësishëm për konsumin e biznesit dhe atë familjar. Rritëm pagën minimale në 30 mijë lekë, duke siguruar një vlerë në punën e individit. Rritëm investimet publike në atë nivel që është më i larti në 10 vitet e fundit në 7.2% të PBB ose 122 miliardë lekë. Dhe dyfishuam ndihmën ekonomike”, u shpreh ministrja.

Këto, sipas saj, janë disa nga instrumentet të cilët u kanë ardhur në ndihmë qytetarëve në një vit të vështirë, por që nuk kanë munguar gjatë gjithë viteve të qeverisjes Rama.

Ministrja vuri në dukje se Shqipëria është kthyer në një kantier ndërtimi për të ringritur zonat e goditura nga tërmeti
“Ndihma dhe mbështetja e dhënë nga buxheti i shtetit që në momentin e parë të goditjes duke akorduar 20 miliardë lekë menjëherë, e më pas 34 miliardë lekë në vitin 2020 dhe 28 miliardë lekë në këtë vit do të bëjë të mundur rindërtimin në kohë reale”, tha ministrja.

Denaj theksoi se me ndryshimet në buxhetin e vitit 2020, përmes aktit normativ që diskutohet sot janë kryer alokimet e nevojshme për të realizuar me sa më shumë efektivitet buxhetin si dhe mbështetur disa kategori, si pensionistët apo personat që trajtohen me ndihmë ekonomike.

“Kemi alokuar 3.4 miliardë lekë për bonusin për 670 mijë pensionistë në fund të vitit, 1.4 miliard lekë për shëndetësinë, nga të cilat 1 miliard lekë për skemën e ndihmës ekonomike. U mbështet reforma e ujit me 4.4 miliardë lekë për të mbajtur premtimin për 30 projekte që kanë avancuar punët publike. Realizuam nevojën për financim shtesë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 25 prillit”, deklaroi ministrja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb