Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, prezantoi në Kuvend ndryshimet ligjore të propozuara në ligjin për Kodin Ajror, të cilat synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian, sa i takon operimit të industrisë së Aviacionit Civil.

Ndryshimi i fundit ligjor në këtë sektor në Shqipëri është bërë në vitin 2011, por zhvillimi i madh i sektorit, veçanërisht vitet e fundit, e ka bërë të nevojshme ndërhyrjen në Kodin Ajror, për t’ju përshtatur legjislacionit europian.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se disa prej standardeve janë adoptuar në legjislacionin shqiptar ndër vite, përmes hartimit të akteve nënligjore, por janë ende një sërë çështjesh zgjidhja e së cilave jepet vetëm përmes ndërhyrjes drejtpërdrejt në ligj, siç janë ndryshimet e propozuar së fundmi në Kodin Ajror.

Nevoja për ndryshime në ligj, në formë gjetjesh dhe rekomandimesh është evidentuar edhe nga organizatat ndërkombëtare, që monitorojnë performancën mbikëqyrëse e rregullatore të aviacionit në Shqipëri, por edhe nga ekspertë të huaj.

“Projektligji për Kodin Ajror që propozojmë sot për miratim është i plotë, i përditësuar me ndryshimet e fundit të kuadrit rregullator europian dhe i pasuruar me parashikimet e munguara deri më tani. Disa nga risitë e këtij projektligji janë, qartësimi i marrëdhënieve mes enteve që ofrojnë shërbime në fushën e Aviacionit Civil dhe që do t’a zbatojnë këtë. Gjithashtu, Autoriteti i Aviacionit Civil do të duhet të mundësojë lejimin e përjashtimit. Gjatë kohës së pandemisë kemi parë qartësisht që është kërkuar një rregullim apo një lejim përjashtimi, siç ishte në rastin e licencave, të cilat kanë parashikime kohore për orët e punës që zhvillohen nga pilotët apo nga kontrollorët e trafikut ajror, dhe na është dashur të ndërhyjë për shkak të pandemisë, duke qenë se volumi i trafikut është zvogëluar ndjeshëm. Kështu që mundësia e lejimit të përjashtimit është një pikë shumë e rëndësishme që gjen akomodim në këtë kod”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se një tjetër risi e këtij projektligji është organizmi i hapësirës ajrore ku përcaktohen përgjegjësitë e ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për mbrojtjen duke krijuar një koordinim të veprimeve përsa i përket përdorimit të hapësirës ajrore. Gjithashtu parashikohet krijimi i Bordit të Menaxhimit të hapësirës ajrore shqiptare me përfaqësues nga të dy ministritë përgjegjëse.

Një risi tjetër është edhe krijimi i Programit Shtetëror të Sigurisë së Operimit. “Kemi ndërhyrë dhe në shumë kapituj të tjerë për të krijuar dhe harmonizuar marrëdhënien midis të gjithë aktorëve dhe faktorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil. Kemi përafruar këtë Kod me të gjitha gjetjet dhe kërkesat e rekomandimit të Bashkimit Europian”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministrja Balluku ftoi deputetët t’a votojnë këtë ligj, pasi është një dokument shumë i rëndësishëm për një industri në rritje në vendin tonë, siç është aviacioni.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb