TIRANË- Komisioni parlamentar i ligjeve diskuton sot ndryshimet në Kodin Penal në kuadër të operacionit kundër informalitetit që ka nisur qeveria shqiptare. Për këtë arsye në komision janë të pranishëm edhe Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Cani tha se ndryshimet në kodin penal, parashikojnë ashpërsim të masave dhe zëvendësim të gjobave me dënime sipas veprës së konsumuar.

“Projektligji parashikon ashpërsimin e masave në luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës. Hiqet masa me gjobë dhe zëvendësohet me masë penale. Parashikohen dy lloj shkeljesh, shkelje në dogana dhe shkelje në tatime. Kur ka çështje të përsëritur ose në bashkëpunim masa e dënimit ashpërsohet nga 5 deri në 10 vjet burg. Kur tregtohen mallrat kontrabandë gjobë ose burg deri në 3 vite. Largimi i mallrave pa leje në zonat doganore vepra penale shkon deri në 7 vite burgim. Kur futen biznese të paregjistruar,  pa kasë fiskale apo s’kane lëshuar faturë tatimore ose s’kanë regjistruar punonjësit, këto janë raste të shmangies së qëllimshme ndaj ne kërkojmë ndjekje penale deri në tre vite burgim. Gjysma e bizneseve janë në informalitet ndaj kjo solli dhe masat e marra nga qeveria”, tha Cani.

Ndërsa ministrja Felaj deklaroi se për sa i përket krimeve në fushën e doganave, nocioni i kontrabandës në kodin penal mbetet po ai. “Kemi plotësuar boshllëqet në kodin penal për kontrabandën. Vepra të reja janë thyerja ose heqja e shenjës së sigurisë  nga zonat doganore. Moskryerja veprimeve nga ana e punonjësve të tatimeve dhe doganave është shpërdorim detyre”, tha Felaj.

EDUARD HALIMI: 20 AMENDAMENTET, TERROR MBI QYTETARËT
Komisioni i Ligjeve ka diskutuar në mbledhjen e sotme ndryshimet në Kodin Penal sa takon shkeljeve doganore. Deputetja Hysi tha se “ligji ka kosto, dhe se nuk është e lehtë të çosh njerëz në burg”.
Por sipas deputetit Eduard Halimi janë hartuar 20 amendamente në Kodin Penal, të cilat krijojnë terror mbi qytetarët. Deputeti demokrat propozoi që disa shkelje doganore të ndëshkohen me gjobë, pasi sipas tij, “terrori për bizneset do t’i mbyllë ato”.

“Rritja e masave duhet ndaj evazorëve të mëdhenj. Po kështu duhet të rrisim masat ndaj zyrtarëve që bëjnë korrupsion. Por filozofia e sotme është burg për të varfrit”, tha Halimi.

Ndërkaq, ka reaguar edhe deputeti Ndoka, i cili tha se nuk duhet të parashikohen sanksione në Kod, pa marrë mendimin e biznesit.

“Të japim modele si BE, por jo të bëjmë shpikje”, tha Ndoka.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb