Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” tha se do të ketë ndryshime në Kodin Penal. Manja u shpreh se ndryshimet bëhen nga ekspertë të ligjeve. Ai tha se do të dënohen me burg ata që godasin apo kanosin policët apo mjekët.

“Do te ketë ndryshime në Kodin Penal, ashtu siç është bërë me dije më herët. Ne do të përpiqemi të bindim edhe deputetët e rinj që të votojnë pro ndryshimeve, sepse duhen 84 vota. Ndryshimet në Kodin Penal do të bëhen për të shtuar ligje dhe për të hequr disa të tjera. Do të shtohen gjithsej 17 vepra të reja penale dhe disa të tjera do të hiqen.  Për shembull do të hiqet vepra penale që ka të bëjë me gabimin mjekësor, ndërsa do të dënohet sigurisht neglizhenca e mjekut.

Sa i përket dhunës ndaj policisë, me paketën e re të ndryshimeve në Kodin Penal, kush godet punonjësin e policisë, dënohet me burg, është apo jo në protestë. Ligji i ri parashikon se kush godet punonjësit e policisë dënohet 1 deri në 3 vjet burgim. Kjo do të thotë se burgu është i pashmangshëm. Me këtë paketë të re ligjesh, do t’iu jepet mbrojtje e veçantë punonjësve të policisë dhe të gjithë zyrtarëve të shtetit”, deklaroi Manja.

Ulsi Manja shtoi se do të bëhen ndryshime në Kodin Penal dhe sa i takon bllokimit të rrugëve nacionale. Manja tha se personat që bllokojnë rrugët rrezikojnë deri 3 vjet burg, ndërsa shtoi se masa e dënimit do të jetë në proporcion me faktin nëse bllokojnë rrugë nacionale apo dytësore.

Manja nënvizoi se ndryshime në ligj do të ketë edhe për llotaritë, ku dënohet ashpër lejimi në këto lojëra i lojtarëve që nuk kanë mbushur ende 18 vjeç. Gjithashtu, dënime më të ashpra parashikohen ndaj personave që kryejnë krime ndaj shëndetit dhe mjedisit, duke i cilësuar si fusha me rëndësi për jetën e njeriut. Ai tha se dënime do të ketë edhe për ata që vjedhin pronësinë intelektuale.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb