TIRANË- Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame bëri të ditur se 50 mijë familje shqiptare do kenë mundësi të përfshihen në procesin e legalizimeve pas ndryshimeve të miratuara në ligj.

Në një konferencë për shtyp nga zyrat e ALUIZNI-t, Lame bëri të ditur se këta qytetarë mbeteshin peng i ndryshimeve ligjore të bëra në janar të vitit 2009, që i cilësonin vepër penale ndërtimet pas kësaj periudhe.

“Lajm i gëzueshëm për 50 mijë familje që aktalisht ishin të bllokuara dhe që përfitojnë nga ndryshimet në ligjin për legalizimet”,-tha Lame.

Por, theksoi ai, qeveria vendosi përfshirjen e këtyre qytetarëve në procesin e legalizimit dhe tashmë 50 mijë qytetarët do të mund të paraqiten në zyrat e ALUIZNI-t për të bërë vetedklarimin.

Duke komentuar vendimin e vitit 2009 të qeverisë së shkuar, Lame tha se ajo synonte t’i jepte fund ndërtimeve pa leje dhe të vendoste nën kontroll territorin, por në fakt nuk ia arriti. Lame po ashtu u shpreh se procesi i legalizimit edhe për këta qytetarë do të jetë falas.

Sipas tij, “Këto familje njësoj si gjithë qytetarët e tjerë do përfitojnë nga procesi falas. Ata që kanë ndërtuar në truall me pronarë deri në qershor 2014 të paraqiten të bëjnë vetëdeklarimin nëse nuk e kanë bërë dhe më pas të presin që të vijohet me procesin e matjeve”, tha ai.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: