Nga Rashela Shehu
Një takim i organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive me përfaqësuesit e mediave kryesore në vend, pati ne fokus propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj që synon të përmirësojë pavarësinë e mediave televizive në Shqipëri në kushtet e rritjes së kostove për shkak të ndryshimit të teknologjisë së prodhimit dhe transmetimit, gjeti konsensusin e të gjithë aktorëve mediatikë në takim.

Kreu i Shoqatës së mediave elektronike, Aleksandër Frangaj u shpreh se projektligji propozon krijimin e fondit të transmetimeve televizive i cili bazohet në kalimin e një pjese të tarifës për përdorimin e aparateve televizive, për televizionet private, teksa sqaroi me tej objektivat kryesore të këtij projektligji.

“Modeli është i marrë nga disa vende të Europës por edhe i propozuar në Shqipëri në vitin 2012. Një projektligj që pati gjetur mbështetje dhe të OSBE-së dhe BE-së por nuk gjeti konsensus politik maxhorancë-opozitë. Urojmë ta gjejnë këtë radhë, meqenëse është e kundërta, opozitë është Partia që e propozoi në 2012-ën dhe maxhorancë është ata që e refuzuan. Nëpërmjet tarifës së përdorimit të aparatit televiziv, një përqindje e saj e caktuar të shkojë për pajisjen me dekodera falas për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Një pikë e dytë e rëndësishme e këtij projektligji është siç thashë edhe mbështetja e mediave private nga kjo tarifa. Fut dhe matjen e audiencës”, tha Frangaj.

Përfaqësuesit e televizioneve informative Report Tv dhe Ora News e cilësuan krijimin e Fondit si një kontribuues në pavarësinë ekonomike të televizioneve, e rrjedhimisht në pavarësinë editoriale, duke nxitur gazetarinë investigative, trajnimin e gazetarëve, rritjen profesionale të tyre, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së publikut nga lajmet e rreme dhe për të shmangur rastet abuzive që cenojnë të vërtetën.

Ndërsa përfaqësuesi i Top Channel, Ben Blushi theksoi mbështetjen që parlamenti duhet t’i japë draftit.
“Askush nuk ka arsye të ketë merak se ne po shesim pavarësinë tonë për një akt normativ dhe uroj që parlamenti të jetë i gjithi në mbështetje të këtij akti për sa kohë ne të gjithë e kërkojmë”, tha Blushi.

Presidenti i News24, Irfan Hysenbelliu, e vuri theksin tek pavarësia që iu krijon ky projektligj televizioneve, teksa shtoi se është një draft i vonuar.

“Të bashkohemi së bashku vërtetë për të mundësuar që mediat të jenë sa më të pavarura dhe më afër opinionit publik dhe dihet që mediat private kanë marrë shikueshmërinë më të madhe në opinionin publik, kjo duket dhe nga matjet që bëhen dhe sondazhet. Ne nuk po bëjmë ndonjë gjë ndryshe me këtë projektligj, përveç se po i përshtatemi kushteve në Europë. Ne a kërkojmë të vemi në Europë?! Përderisa duam të shkojmë në Europë, do i përshtatemi edhe ligjeve që ata kanë. Për mua, ky projektligj është tepër i vonuar dhe duhet të ishte bërë më përpara. Duhet të kërkojmë dhe projektligje të tjera që t’i shërbejnë qoftë konkurrencës së tregut, që të mos marrim lajme në faqe të ndryshme, në mënyrë anonime por edhe kur t’i marrin të vendosin emrat përkatës të televizioneve që i transmetojnë apo njëkohësisht edhe të atyre që bëjnë analiza”, deklaroi Presidenti i News24 Irfan Hysenbelliu.

Kreu i AMA-s Gentian Sula, e cilësoi projektligjin si një garanci për tregun mediatik, teksa ofroi mbështetjen e këtij autoriteti.

“Unë mendoj që ky draft do të ndihmojë që kjo periudhë tranzitore të kalojë. Pasja e një garancie nga televizionet informative dhe gjeneraliste për tregun e reklamave do të bëjë që zbatimi i ligjit të futet në një hallkë tjetër”, tha Gentian Sala, Kreu i AMA-s.

Projektligji nuk prek parashikimet e buxhetit të shtetit, të miratuar për vitin 2018, apo edhe për vitet në vazhdim, pasi fondi për mbështetjen e mediave krijohet nga tarifa për përdorimin e aparatit televiziv.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb