TIRANE – Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, vlerëson punën e qeverisë, por kur bëhet fjalë për ndryshime në kabinetin aktual, ajo shprehet se i takojnë kryeministrit Edi Rama. Kodheli flet për “Vizion Plus” për objektivat e dikasterit që ajo drejton, qeverisjen dhe akuzat e vazhdueshme të opozitës.

Eksperienca nga procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta mund t’i vlejë shumë Shqipërisë që të përdorë kapacitetet për shkatërrim të armatimeve të vendeve të tjera në këmbim të përfitimit ekonomik.

“Ne mund të kthehemi, bazuar në strukturën që disponojmë akoma dhe në ndërmarrjet tona ushtarake, në një vend, ose një qendër, që mund të japim ekspertizë për të tjerët, apo që mund ta bëjmë këtë edhe për të tjerët kundrejt të ardhurave. Kjo është për t’u parë. Ne në fakt kemi bërë suksesshëm një projekt pilot me Malin e Zi, ka qenë krejt modest, por që na ka bërë që të rivlerësojmë dijet tona dhe nivelin tonë të ekspertëve dhe të marrin certifikatat e nevojshme nga strukturat ndërkombëtare, për të qenë të gatshëm t’ua ofrojmë këtë shërbim edhe të tjerëve”, shprehet ministrja e Mbrojtjes.

Nëse armatimet e tepërta nuk do të ishin shkatërruar, rrezikohej që të binin në dorë të terroristëve. Sipas ministres, Shqipëria ashtu si çdo vend tjetër nuk është imun nga kjo çmenduri globale, që mban emrin terrorizëm. “Shqipëria dhe trojet shqiptare, për fat të keq edhe në rajon, edhe Bosnje Hercegovinë do ta fusim në këtë diskutim, janë burime të të ashtuquajturve luftëtarë të huaj. Kjo e bën të brishtë sigurinë e rajonit dhe sigurinë e Shqipërisë, sepse problemi nuk është kur këta njerëz largohen për të bërë një luftë e cila nuk është e tyre, problemi është kur ata kthehen në vendin tyre, pranë familjeve të tyre, cila është qasja që ata kanë në shoqëri”.

Zonja Kodheli, e cila prej shtatorit të vitit 2013 mban postin e ministres së Mbrojtjes, është një politikane, e cila pranon vlerësime, por edhe vërejtje ndaj punës së qeverisë. Ajo është e vetëdijshme se qeverisja e vendit kërkon shumë përpjekje. Por a është momenti për një rifreskim të kabinetit qeveritar? “Unë e vlerësoj punën, nuk do të thosha timen, sepse ata e bën dikush tjetër, por punën e kolegëve maksimalisht. Unë kam parë impenjimin dhe seriozitetin e tyre në diskutime të çështjeve madhore, por pse jo edhe të çështjeve të vogla maksimale. Pastaj është në gjykimin e kryeministrit Rama për të parë se si kjo gjë ecën në dinamikë. Por unë ju siguroj se serioziteti me të cilin ne kemi punuar në këto dy vite e gjysmë dhe do të vazhdojmë të punojmë, është maksimal dhe nëse ka një gjë që ka ndryshuar, është vënia në qendër e njeriut, e individit”, deklaron ajo.

Të qeverisësh vendin në një periudhë të vështirë ekono-mike botërore nuk është e lehtë. Por akuzat dhe sulmet e opozitës, ministrja e Mbrojtjes i sheh si të pabazuara në fakte. “Ka një negativizëm që nuk vjen për shkak të rezultateve të punës sonë, por vjen për shkak të keqdashjes për të parë me sy miopi çdo gjë të mirë, çdo reformë që qeveria ka bërë dhe kjo nuk i vlen askujt. Nuk u vlen atyre, nuk na vlen neve dhe nuk i vlen shoqërisë shqiptare”, tha Kodheli.

Në tavolinën e punës së ministres së Mbrojtjes ishin një sërë shkresash dhe kërkesash që vinin nga bashkitë, të cilat janë përballur me motin e keq gjatë javëve të fundit. Ajo rrëfen se të qenurit në ushtrinë shqiptare nuk do të thotë vetëm të rrokësh armët në rast lufte, por edhe të ndihmosh popullsinë civile në momente të vështira. Dhe Forcat e Armatosura ia kanë dalë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: