Edi Rama sakrifikoi në mënyrë të pakuptimtë 8 nga 12 ministrat e kabinetit pa arritur të japë asnjë mesazh për publikun dhe sidomos për protestën studentore që ai e konsideroi si një shuplakë. Lëvizjet që ai vendosi t’i shpallë këtë fund viti ishin kontradiktore, të amullta dhe pa sens.

Megjithëse në formë ato kanë pamjen e një shock-u që është i barasvlershëm me rrëzimin e qeverisë (po të shtosh dhe ikjen e Xhafajt vetëm 3 nga ministrat e kabinetit të pas zgjedhjeve kanë mbetur në detyrë), ato rrezikojnë mos përçojnë asnjë kumt drejt publikut.

Askush nuk mund të ketë vërejte për largimin e Lindita Nikollës, kundër të cilës dolën në rrugë me mijëra studentë, por askush nuk mund të kuptojë gjithashtu se si ministrja rrëzohet dhe ligji i arsimit të lartë, i përpunuar dhe vënë në zbatim prej saj, qëndron.

Mos vallë Rama ka ndryshuar mendim 180 gradë, duke pretenduar tashmë se fajin nuk e ka më sistemi po njerëzit?

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Damian Gjiknurin emri i të cilit u përfshi në skandalin e 40 milionë eurove (për 2 km rrugë) tek Unaza e re. Ç’kuptim ka të bjerë Gjiknuri dhe projekti i vjedhjes të vazhdojë njësoj si më parë?

Askush nuk e di pse po largohet Ditmir Bushati kur marrëveshja me Athinën e çuar drejt fundit konsiderohet nga Rama si sukses, apo kur ai është në të njëjtën linjë me partnerët e BE kundër idesë së shkëmbimit të kufijve Kosovë-Serbi?

Askush nuk e kupton pse Arben Ahmetaj u bë kokë turku, kur sipas shefit të vet ekonomia është rritur, punësimet janë shtuar dhe fuqia blerëse është ngritur.

Në thelb, këto ndryshime tregojnë përrallën tashmë të konsumuar të peshkut që qelbet nga bishti.
Sipas saj, Edi Rama është personazhi pozitiv i kësaj fabule ku ai gjithmonë gjendet i rrethuar nga njerëz të këqij.

Në mandatin e parë mëkatarët ishin aleatët e tepsisë që duheshin larguar. Edhe atëherë qeverisja qe e shkëlqyer, por të vetmet njolla ia linin LSI dhe PDIU.

Më pas fajin e kishin drejtorët e hipotekave, të legalizimeve dhe të spitaleve që turbullonin ujin që rridhte i pastër nga maja.

Erdhi protesta e studentëve dhe faji tentoi të lihej tek rektorët e dekanët që shumë shpejt u evidentuan si servilët e kryeministrit.

Edhe me këto ndryshime, njësoj, Rama po tenton të përçohet mesazhi se fajtor është pothuaj gjithë kabineti, ndërkohë që lideri po e çon vendin drejt sukseseve të reja.

Vetëm kështu mund të shpjegohet fabula paradoksale e një qeverisjeje të mirë, por me 8 ministra që ikin.

Këtë alibi askush nuk mund ta besojë.
Madje, ata studentë që dolën në rrugë dhe ende nuk kanë arritur as të ngrenë buxhetin e arsimit, as të ulin tarifën e masterave, as të kenë kartën e studentit dhe as të abrogojnë ligjin që i ka pjellë të gjitha problemet, kur të rikthehen në Tiranë kanë më shumë arsye të protestojnë se sa patën kur e nisën në fillim të dhjetorit.

Sepse të gjitha sa ndodhën që prej rebelimit të tyre treguan se problemi që kanë është një njeri i vetëm.

Nëse para për arsimin nuk gjenden, sepse ato duhet të shkojnë tek oligarkët edhe pa praninë e Gjiknurit, nëse tarifat nuk ulen edhe dhuratat fiskale për të pasurit vazhdojnë edhe pa Ahmetajn, nëse në universitete gjithçka do të jetë si më parë edhe pa Nikollën, problemi inture është i drejtpërdrejtë me kryeministrin.

Këto ndryshime tronditëse të qeverisë shërbyen së paku vetëm për një gjë. Për t’i bërë të kuptojnë studentët dhe të gjitha shtresat e revoltuara, se mes tyre dhe Ramës nuk ka më asnjë digë, se nëse flasim për shuplakë, ajo nuk ka asnjë vlerë pa rënë mbi fytyrën e tij. Dhe me sa pamë në asamblenë e PS këtë të hënë, ajo ende është një dorë e mbetur në ajër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: