Ndryshimet në vettingun në polici, sipas të cilave do të vetohen vetëm drejtuesit dhe ata që pretendojnë poste drejtuese ka sjellë replika në kuvend midis ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe deputetit të PD-së Ervin Salianji.

Deputeti i PD-së ka marrë një abetare në parlament duke ia dorëzuar ministrit Çuçi për t’ia dhënë drejtorit të AMP-së Ardi Veliu. Ai deklaroi se qeveria ka  vendosur të kalojë 12 mijë punonjës të policisë së shtetit një njeri i cili është analfabet dhe politik, pasi ka qenë zv.ministër. Sipas Salianjit, qeveria po kërkon nga opozita që të votojë ndryshimet e ligjit pasi ka dështuar disa herë rresht dhe që ta vendosë në kontroll politik ndërkohë që janë shpenzuar miliona dollarë dhe miliona euro.

Nga ana tjetër ministri Çuçi i cilësoi përçartje dhe i kërkoi Salianjit të mos merret me emra, por me institucione kur flet për ligje.

Ai tha më tej se nuk largohen 7 punonjës në ditë nga Policia.

REPLIKAT E PLOTA

Salianji: Për herë të tretë nga tre ministra të ndryshëm dëgjohet nga kjo qeveri që procesi i vettingut të policisë së shtetit synon të rregullojë përfundimisht procesin e vettingut në polici siç tha ministri. Të njëjtën gjë e kanë thënë dy ministrat e tjerë para ministrit aktual. Para thuajse 5 vitesh në këtë parlament, por edhe komisionet parlamentare nga u premtua nga qeveria që vettingu të cilin ne e kundërshtuam si të pamundur për t’u realizuar në formën e sjellë nga qeveria do të bëhej brenda 2 vitesh. Qeveria në atë periudhë tha që ne kemi marrë elementët më të mirë të vendeve perëndimore dhe ka rezultuar që në këto vende ka pasur sukses dhe ky sukses në radhë të parë thoshte qeveria do t’i vlejë vetë policisë së shtetit.

Sipas qeverisë, nuk e meritonin që të ishin në strukturat e Policisë së Shtetit apo të Gardës së Republikës persona të inkriminuar apo persona me lidhje korruptive dhe për këtë arsye ishte i domosdoshëm vettingu i punonjësve të Policisë së Shtetit. Tani çfarë ka ndodhur pas 5 vitesh. U krijua me një logjikë të atëhershëm të qeverisë një komision i pavarur dhe i jashtëm për vlerësimin e trupës së policisë, gardës dhe strukturave të tjera për të shmangur të gjithë elementët e lidhjeve, njohjeve që mund të kishin nga një trupë që do të varej nga ministria e Brendshme. Rezultatet janë këto: nga 12 mijë punonjës në 5 vite të shpërdoruara miliona dollarë, pa diskutim për fjalën nuk e kanë problem që mashtrojnë, kanë kaluar në komisionin e vlerësimit 52 vendime. 37 subjekte janë konfirmuar në detyrë, 4 janë përjashtuar, për 8 subjekte është dhënë ndërprerje e procesit të vlerësimit, për 2 subjekte trajnim si dhe për një subjekt pritet vendimi. Shpërndarja e subjekteve për të cilët ka përfunduar procesi i vlerësimit është: në policinë e shtetit 29, në Gardën e Republikës 2, në SHÇBA 21 subjekte.

Lidhur me punonjësit e policisë së Shtetit që janë konfirmuar në detyrë ata që janë larguar nga detyra si dhe punonjësit që akoma nuk janë vetuar nga komisioni i jashtëm i vlerësimit, nëse i referohemi vetëm punonjësve të Policisë së Shtetit deri tani ka përfunduar procesi për 29 subjekte etj.

Miliona euro të shpërdoruara, pa diskutim humbje e besimit të publikut, komisione që mbaheshin me paratë e taksave të qytetarëve shqiptarë, komision i jashtëm, komision i brendshëm, për të përjashtuar të gjithë këtë mllefin që kishte qeveria me punonjësit e inkriminuar të policisë së shtetit, as 5 subjekte. Ndërkohë mos themi kush e ka kaluar. Dhe po flasim në një situatë, kur kjo polici e Shtetit, kjo qeveri ka një ministër në burg. Po pse ai ministri që është në burg për shpërdorim detyre e ka bërë shpërdorimin e detyrës me cilët, me njerëz që ka pasur shokë, apo me drejtues të policisë së shtetit. Si është shpërdorimi i detyrës, apo është bërë për arsye politike dënimi i tij pastaj? Nëse ka pasur sipas dy ministrave paraardhës tuaj z. Çuçi persona të inkriminuar dhe të korruptuar në policinë e Shtetit të cilët nuk e meritonin uniformën e Policisë së Shtetit, sot e kësaj dite janë në detyrë ata.

Për shkak të dështimit që ju si qeveri keni pasur me këtë proces dhe pa diskutim pastaj që kur thoni që procesi i vettingut të policisë së shtetit, risi na qenka që do ta bëjë AMP-ja…Kam këtu letrën e dorëheqjes, besoj e keni dhe ju të drejtorit që keni emëruar, që e keni vartës të drejtpërdrejt te Agjencia e Mbikëqyrjes policore që do të vetojë policët. Ka turp më të madh, ka fyerje më të madhe për çdo punonjës të policisë së Shtetit, kjo është fyerje për çdo drejtues të lartë të policisë së Shtetit që është investuar në shkollim që do bëjë vettingun një njeri që nuk kalon dot abetare. Ju kam sjellë sot si kontribut një fletore pune të abetares për t’ia dhënë drejtuesit që keni vendosur Ardi Veliut për të mësuar në germa dhe nëse kalon ai këtë testin e abetares, pa diskutim që gjithsecili punonjës i policisë mund të kalojë vettingun tek ai pastaj. Këtë, këtë se për krimin do ju them tani dhe për lidhjet që i di. I kalon dot ai këto. (lexon abetaren dhe ia dorëzon Çuçit).

Ju keni vendosur të drejtojë dhe të kalojë 12 mijë punonjës të policisë së shtetit një njeri i cili është analfabet. Së dyti një njeri i cili është person politik. Ju po vendosni dhe tentoni të vendosni Policinë e Shtetit një institucion që duhet të jetë i pavarur nën thundrën e një njeriu që e keni pasur vetëm pak kohë më parë në kabinet, person politik, ka qenë zv.ministër. E hiqni nga zv.ministër dhe e vendosni të bëjë vettingun e çdo punonjësi të policisë së Shtetit. Nga ana tjetër një person me rekorde kriminale, meqenëse thua do të ishte shmangur një ngjarje tragjike në Elbasan nëse ai person nuk do të mbulonte ngjarjen, siç e mbuloi me dy ish-zv.drejtorë të policisë së Shtetit të cilët fërkonin shpatullat e krimit dhe lanë që të ndodhte një ngjarje tragjike para zgjedhjeve të 25 prillit. Ky person i cili ka ndërhyrë në çdo ngjarje, tha dhe manipuloi ngjarjen e Elbasanit, ishte i njëjti person që tha se kishte pistoletë në vrasjen e Klodian Rashës.

Ishte i njëjti person që manipuloi dhe tentoi të manipulonte vdekjen e të riut Kurti. Për çfarë ka besim publiku dhe duhet të ketë besim opozita në këtë. Si mundet ne që të besojmë që një person i tillë, përveçse i paaftë dhe me lidhje kriminale do të kalojë në vetting të gjithë drejtuesit e policisë së Shtetit. Dhe keni të njëjtët drejtues. A keni ju të gjithë ish-drejtorët që ishin në atë periudhë në çdo qark, në çdo komisariat. Vetëm keni bërë qarkullim, janë të njëjtët persona, prandaj situata e krimit është kështu. Prandaj punonjësit e policisë së Shtetit, këta që kanë mbetur ju i përdorni si bodygardë të krimit. Njëri prej tyre me një prej të superkërkuarve që sot është i zhdukur a i vrarë dhe ju nuk e thoni dot. Dhe meqenëse jemi këtu, a keni dijeni ju z. ministër që personi që shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martini ka dhënë dëshmi duke përmendur emra të oficerëve të lartë të policisë së shtetit që i shërbenin krimit? Nëse po, pse nuk veprohet duke marrë masa dhe për të çuar para përgjegjësisë penale? A kanë ata mbrojtje politike? A përdoren dhe në këto raste policia e shtetit për t’iu ruajtur krahët kriminelëve. këtu dua t’ju them dhe dëshminë e ish-drejtorit të policisë së Shtetit, i cili tha se operacioni për kapjen e të shumëkërkuarve është dekonspiruar. Nga kush është dekonspiruar.

Pyetje që po ashtu ngrihen nga sindikata, nga drejtues të policisë, nga policë të thjeshtë është që për shkak të mosrritjes së pagave dhe për shkak që iu vendosni persona të lidhur drejtpërdrejt me krimin, po largohen nga policia e shtetit punonjësit më të mirë. Pse nuk keni dhënë përgjigje? A largohen 7 punonjës policie në ditë? Ta themi është e vërtetë apo jo? Drejtues të lartë të policisë së shtetit numëronin rrënjët e kanabisit për t’u marrë para në çdo parcelë kanabisi në Shqipëri.

Këto janë rekorde publike, nuk i shmangni dot. Ua thotë DASH, ua thotë çdo raport ndërkombëtar dhe për shkak se Shqipëria ka krijuar këtë strukturë me kanabisin është kthyer në qendër operacionale për trafikun e drogave të forta si kokaina dhe si heroina. Ju thoni na votoni këtë pasi kemi dështuar disa herë rresht që ta vendosim në kontroll politik se po na vijnë zgjedhjet ndërkohë që keni shpenzuar miliona dollarë dhe miliona euro dhe keni nxjerrë nga sistemi 8 punonjës të policisë së shtetit.

Çuçi: Është e kotë të ndjek gjithë këtë përçartje të vazhdueshme të kolegut Salianji sa herë bie fjala për rendin, por dua të jap një përgjigje meqë e kërkove zyrtarisht. Ta kam dhënë dhe në komision, jo nuk largohen 7 punonjës në ditë nga Policia. Merre si zyrtare dhe të paktën referoju nuk largohen nga policia e Shtetit. Jo vetëm që nuk largohen, por kanë filluar të rikthehen dhe punonjës që janë larguar. Një këshillë, mos u merr me emra, merru me institucione kur flet për ligje. Ligjet nuk bëhen për emra specifikë por për të ngritur sisteme. Nuk besoj se kishte asgjë me rregullimin që po i bëjmë këtij procesi të rëndësishëm. ky është një lajm i mirë dhe e keni kuptuar dhe ju që ne po i forcojmë sistemet e sigurisë.

Salianji: Nëse është përçartje do na vlerësojë publiku. Unë po ju them me shkresën tuaj. Shkresa juaj, ja. Nëse ju jeni siç jeni, të çartur si qeveri, ja ku e keni se si keni dështuar nga 12 mijë punonjës, të largoni nga sistemi gjithsej 8 punonjës. Për këta keni shpenzuar miliona euro, keni shpenzuar 5 vite, keni krijuar një komision të jashtëm, keni krijuar një komision të brendshëm. Keni shpenzuar energji në këtë parlament, dy herë. Dy ministrat tuaj paraardhës, njëri pas tjetrit kanë ardhur këtu kanë folur kështu si ju. Së dyti kur ka një shqetësim publik për largimin e punonjësve, hajdeni herën tjetër dhe thoni nuk ka, nuk është e vërtetë, do ta shohim zyrtarisht se sa janë. Së treti, kur ngrihet një shqetësim konkret për një ngjarje që ka tronditur gjithë opinionin publik, për një person të forcave elitë të policisë së shtetit që shoqëron një super të kërkuar, për të cilin po ju pyes prapë, keni të dhëna që ka përmendur në dëshminë e tij persona konkretë, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të cilët lehtësojnë veprimtarinë kriminale të banditëve apo jo? Janë rekorde, janë aty. Po ju pyes për të kuptuar publiku dhe për të ardhur prapë këtu, se si policia e Shtetit edhe për shkak të këtij procesi që ju bëni, politik tani më për të vendosur nën presion ata punonjës që nuk mbajnë dot familjen e tyre, se për ata po e bëni ju, që rrinë në diell dhe në shi, ndërkohë që drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit që i riqarkulloni prej 8 vitesh sa në njërin vend në tjetrin, që çdo raport ndërkombëtar i bën copë, që situatën e krimit e keni copë në vend, qoftë me vjedhjet, qoftë me vrasjet, qoftë me drogën, qoftë me çfarëdo lloj situate tjetër të paligjshmërisë, kanë bërë që qytetarët shqiptarë as të mos kenë besim te Policia e Shtetit; që qytetarët shqiptarë të bdihen më të pasigurt në këtë vend dhe e keni parë se si marrin rrugët pastaj që ju nuk mbani përgjegjësi për ata që ikin jashtë se është çështjes e Britanisë së Madhe dhe racizmit pastaj.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb