Shqipëria gabon dhe del nga Air Albania pa pikë. Izraeli fitoi 2-1 ndaj kuqezinjve, në sfidën e Nations League. Trajneri i Përfaqësueses tonë, Edi Reja foli pas sfidës për mediet, ku analizoi takimin.

 

“Kishte motiv pse nuk luajtëm pjesën e dytë aq mirë. Në fillim e dhuruam golin. Pësuam gol me kundërsulm, dolëm shumë përpara. Ata pritën sepse janë të aftë ta bëjnë këtë gjë, kur ne dolëm para. Nuk mundesh kur je në avantazh të dalësh në mënyrë të tillë. Duhet të vlerësosh forcën dhe cilësitë e kundërshtarit. Dhe në Islandë njësoj. Në pjesë parë luajtëm mirë, kishim agresivitet. Nuk e kuptoj pse duhet të bëjmë këto dhurata, që ata t’i shfrytëzojnë dhe të na kapin në kundërsulm. Kjo nuk duhet të ndodhë.Si favorit të grupit e ka thënë opinioni por nuk është se kemi qenë. Luajmë me skuadra të forta, që e pamë dhe sot. Duhet të bënim ndeshje me intensitet. Nëse më pas bën gabime, që ka ndodhur gjatë këtyre 3 viteve, nuk ecën përpara sepse bën ato gabime. Mund të jap instrumentet por janë lojtarët që duhet të kuptojnë momentin e rrezikut. Duhet të jemi me këmbë në tokë për të arritur rezultatet se ndryshe nuk shkohet në asnjë vend.

 

Bëra disa ndryshime për t’i dhënë forcë skuadrës përpara se nuk po avanconim. Provova të ngre ekipin në lojën në ajër. Loja u prish kur ishim në avantazh dhe ata barazuan. Kisha probleme si me Abrashin që ra fizikisht, kishte lojtarë si Asllani dhe Bajrami që dhanë shumë se janë teknikë.

 

Futa Gjasulën sepse duhet të ishim më të fortë fizikisht. Ishin të rikarikuar nga goli sepse ishte motivues ndërsa ne e pësuam shumë psikologjikisht. Nuk mund të them për paraqitjen sepse u munduam të jepnim gjithçka por duhet të përdorim më shumë kokën në këto ndeshje” – tha ai.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb