TIRANË

 
Kuvendi i Shqipërisë tërhiqet nga vendimi për të mos lejuar gazetarët të marrin pjesë në Komisionet Parlamentare.  Kjo vendimmarrje vjen pas reagimeve të shumta të gazetarëve të terrenit, të cilët protestuan përpara Parlamentit, për të kundërshtuar rregulloren e re.

Protesta bëri që Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të thërriste në një tryezë diskutimi gazetarët, ku u artikuluan të gjitha kërkesat.

Në shkresën e firmosur prej tij, Kryetari i Kuvendit pranoi të marrë në konsideratë kërkesën e gazetarëve për të qenë të pranishëm fizikisht në mbledhjet e komisioneve parlamentare, duke përdorur aty edhe aparatet celularë.

Sa i përket kamerave, ato do të jenë në këto mbledhje vetëm pak minuta, për të marrë pamje, dhe diskutimet e plota nëpër komisione, do të merren nga teknologjia që ofron Kryesia e Kuvendit.

Po ashtu gazetarët nëpër korridoret e Kuvendit nuk do të jenë të shoqëruar nga Garda, një pikë tjetër kjo e rregullores së ndryshuar nga Byroja e Kuvendit në datën 2 qershor 2021, dhe sipas vendimit të ri, gazetari do të shoqërohet nga punonjësit e medias së Kuvendit, në rastet kur është e nevojshme. Sa i përket kërkesës së gazetarëve për të qenë të pranishëm në koridoret e Kuvendit për të kryer intervista me deputet, kjo kërkesë është sugjeruar të merret pjesërisht në konsideratë, duke nënkuptuar se përveç se një ambjenti në Kryesinë e Kuvendit e dedikuar për intervista, do të jetë edhe një ambjent i jashtëm, i cili do të funksionojë si i tillë.

Një vendim tjetër i Byrosë së Kuvendit, i konsideruar arbitrar ishte ai, se gazetarët duhet të njoftonin zyrën e shtypit të Kuvendit mbi çështjet që do pyesnin në intervistë deputetët. Edhe prej këtij vendimi Kryetari i Kuvendit është tërhequr, duke pranuar  kërkesën e gazetarëve, për të mos dhënë asnjë informacion për çështjet që do diskutojnë me të intervistuarit.  Zgjidhja e këtij debati mes Kuvendit dhe gazetarëve, erdhi pasi për herë të parë, të dy palët u ulen në një tryezë dhe diskutuan për më të mirën e transparencës.

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: