“Për herë të parë regjistrimi i pajisjeve mjekësore do të kryhet përpara hyrjes së tyre në treg, duke rritur sigurinë për pacientët”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar ndryshimet lidhur me projektligji “Për pajisjet mjekësore”, të cilat do të sjellin një përmirësim të procedurave rregullatore të sektorit, të lidhura me prodhimin, importimin dhe regjistrimin e pajisjeve të tilla.

“Ndryshe nga më parë kur pajisjet mjekësore regjistronin pasi kishin hyrë në treg, me ligjin e ri që ne propozojmë forcohen masat në kontrollin e tregut të pajisjeve mjekësore, duke kryer procesin e regjistrimit që në doganë. Do të monitorohet i gjithë zinxhiri, deri në daljen në treg, duke filluar nga pajisjet dentare të implantueshme e deri te pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se projektligji i ri, i cili garanton cilësinë dhe ruajtjen e standardeve më të mira mbi pajisjet mjekësore që prodhohen, importohen apo tregtohen në Republikën e Shqipërisë është përafruar me legjislacionin e BE-së, Manastirliu tha: “Për herë të parë përcaktohet një proces licensimi për pajisjet mjekësore, që nuk ekzistonte më parë. Gjithashti do të vendosen rregulla të mirëpërcaktuara edhe për blerjen e pajisjeve online, i monitoruar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”.
Manastirliu gjatë fjalës së saj theksoi se një ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e pajisjeve mjekësore që rimbursohen.

“Për herë të parë do të ketë një listë të rimbursueshme të pajisjeve mjekësore që rimbusohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim garantimin e aksesit në ofrimin e kujdesit shëndetësor të të gjithë qytetarëve. Aktualisht ne ofrojmë rimbursimin e fishave të diabetit falas deri në 25 vjeç dhe me këtë projektligj i hapet rrugë rimbursimit të pajisjeve mjekësore, përmes një liste të mirëpërcaktuar, u shpreh Manastirliu.

Duke nënvizuar se në vend janë regjistruar rreth 6000 pajisje apo grupime pajisjesh mjekësore, Manastirliu theksoi para komisionit se do të merren masa për çdo subjekt që shkel ligjin.
“Janë shtuar 8 penalitete për subjektet që shkelin ligjin, duke filluar nga masat administrative me gjobë për mosdeklarim importi apo vendosjen në treg të pajisjeve në kundërshtim me ligjin, deri në revokim license në rast të shkeljes së rregullave më shumë se një herë”, tha Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb