Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë edhe për bashkëshortin e ish-gjyqtares së Korçës, Mimoza Margjeka, Arben Carën, i cili akuzohet se mori shumën prej 6 mijë eurosh premtuar gjyqtares për të caktuar garanci pasurore për Orion Balin.

Nga “arrest me burg”, GJKOK ka vendosur arrest me shtëpie për Carën. Mësohet se masa ndaj tij u zbut pas problemeve shëndetësore që kishte shfaqur.

Më herët gjykata ndryshoi edhe masën e sigurisë për ish-gjyqtaren Margjeka, nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim paraqitje’.

NGJARJA
Ish-gjyqtarja e Korçës, Mimoza Margjeka u arrestua pasi akuzohet se mori 6 mijë euro për të caktuar garanci pasurore për Orion Balin, i cili ishte në burg nën akuzën e trafikut të emigrantëve. Bashkë me të u arrestua edhe bashkëshorti, Arben Cara, avokati dhe vëllai i Orion Balit, Skënder Damini dhe Nejton Bali, si edhe sekseri Kaludio Zhilla.

Avokati Skënder Damini që mbronte Orion Balin përmes njohjeve të tij ka ndërhyrë që përmes ryshfetit ta nxirrte atë nga burgu, duke i kërkuar 6 mijë euro, ku të gjitha komunikimet dhe takimet e avokatit mes vëllezërve Bali me të ëmën kanë qenë të përgjuara dhe vëzhguara nga SPAK.

Margjeka gjatë seancave në GJKKO ka akuzuar se arrestimi dhe shkarkimi i saj janë politike, pasi nuk i dha mandatin Valbona Sakos si kryebashkiake e Durrësit dhe se ka kërkuar masë më të lehtë sigurie për shkak të fëmijës që ka me probleme shëndetësore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb