TIRANE– Metoda për propozimet dhe diskutimet për paketën fiskale do të ndryshojë. Për paketën fiskale të vitit 2017, diskutimet kanë filluar që tani. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka mbledhur sot në një takim shoqatat e biznesit për të prezantuar këtë nismë të re. Sipas kreut të Financave, diskutimi për aktet nënligjore për paketën fiskale nuk duhet të bëhet në pak ditë në fundvit, por të lihet më shumë kohë.

Në këtë mënyrë sipas Canit, ligji do të kuptohet dhe paraqiten edhe propozimet përkatëse.
“Duam të ndryshojmë stilin e të punuarit, nuk duam ta plotësojmë paketën fiskale në ditët e fundit të vitit, dhe juve nuk ju lëmë kohën që ta kuptoni dhe ta studioni plotësisht ligjin. Kështu do të kemi më shumë kohë për të diskutuar aktet nënligjore.

Objektivi ynë është që në mbylljen e kuvendit në fund të korrikut, ne të kemi miratuar paketën ligjore”, tha ministri Cani.

Sipas kreut të MF-së, do të ndryshojë edhe mënyra e bashkëpunimit me Këshillin Tatimor, duke e bërë këtë bashkëpunim edhe më të hapur. “Kontributi juaj është i rëndësishëm, por duhet të ndryshojë edhe bashkëpunimi me ju. Burokracia do të vazhdojë kjo është e pashmangshme dhe një pjesë e kërkesave tuaja mund të mos përpunohen dot për shkak të ngarkesës,” tha ministri.

Ai u kërkoi përfaqësuesve të biznesit që sugjerimet me argumente ekspertesh të bëhen në nivel përfaqësimi shoqatash. “Identifikoni çështjet dhe jepni edhe zgjidhjet. Ky ekspert e bën aktin ligjor apo atë nënligjor më të balancuar”, u shpreh ministri Cani.

Cani foli edhe mbi informalitetin. Sipas tij, beteja për informalitetin në fazën e saj të parë e arriti rezultatin. Ai shpjegoi se në fazën e parë strategjia përmbante prani të madhe të inspektorëve tatimorë në terren, ndërsa vijoi se aktualisht ka më pak inspektorë në terren. “Ka një tërheqje nga ana vizive, nuk jemi më të pranishëm, kjo edhe pas kërkesës suaj. Edhe ne nuk e shohim të ardhmen tek prania. Edhe në strategjinë kundër informalitetit, prania ishte në fazën e parë. Jemi të kënaqur qoftë për nga regjistrimi i bizneseve, lëshimi i kuponëve, inventarët, faturat tatimore”, deklaroi ministri Cani.

Në fazën e dytë, u shpreh ai, të dy palët biem dakord që nuk ka më kuptim beteja frontale mbi informalitetin. “Kemi ndërtuar sistemin me bazë risku dhe do të jemi më të fokusuar drejt biznesit të madh dhe mbi bazë risku”, tha Cani.

Pikërisht për këtë, tha Cani, do të shërbejë edhe platforma teknologjike për gjurmimin e TVSH-së. “Kjo platformë është që gjithçka të bëhet nga zyra dhe shumë pak nga terreni. Do të kemi edhe riorganizim të DPT-së, për nga aspekti i punonjësve të tatimeve që janë në terren. Edhe ata do të tërhiqen dhe do të bëhet vlerësimi mbi bazë risku dhe do të shkohet te biznesi, pas analizës së bërë nga zyrat dhe për çështje konkrete”, nënvizoi ai, duke ftuar përfaqësues të biznesit të bëhen pjesë e tenderit ndërkombëtar për vendosjen e kësaj platforme.

Ministri foli edhe lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për bllokimin e ligjit “Për procedurat tatimore”. “Bllokimi i nga Gjykata Kushtetuese e ligjit të ri të procedurave tatimore nuk na pengon në punën tonë. Edhe në ligjin e vjetër detyrimi për kuponin ka qenë dhe kontrolli i inventarët është i mirëpërcaktuar”, tha ministri Cani.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: