NGA VJOLLCA KONGJONI*

Qeveria thyen rekordin e ndryshimeve ligjore brenda një viti për buxhetin e shtetit. Gjatë këtij viti për herë të tretë qeveria ka hartuar akt normative për të rialokuar fondet publike. Vetëm pak ditë nga akti i dytë normativ në dhjetor, në mbledhjen e parafundit të këtij viti të Këshillit të ministrave janë miratuar ndryshimet ligjore për buxhetin e vitit 2015, të ndryshuar.

Sipas tabelave që shoqëron këto ndryshime ligjore, janë parashikuar shkurtime të shpenzimeve korrente me 1,4 miliardë lekë si dhe shpenzimet për pagat e personelit me 2,1 miliardë lekë. Gjithashtu në aktin e tretë normativ janë reduktuar me 797 milionë lekë edhe shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes.

Po kështu fondet speciale që qeveria po përdor këto ditë për shpërblimin e pensionistëve janë shtuar me 1,2 miliardë lekë, ndërsa 1 miliardë më shumë kanë shkuar për subvencionet e energjisë.

Në relacionin që shoqëron këtë akt normativ qeveria sqaron se përmes tij synon të përmbush angazhimet e marra për mbështetjen e shtresave në nevojë si dhe mbështetjen financiare të Korporatës elektro-energjetike shqiptare.

Duke qenë se ky fundvit ka shënuar mungesë të reshjeve poshtë mesatares historike, KESH, i ka kërkuar qeverisë të sigurojë furnizimin me energji të konsumatorëve përmes importit duke blerë në dy muajt e ardhshëm  300 GËH energji. Gjithashtu në këtë akt normativ është parashikuar që nëse situata klimatike vijon të mbetet e njëjtë, të reduktohen investimet e mëtejshme të OSHEE-së në sektorin e energjisë.

Relacioni sqaron se efektet financiare nga këto ndryshime në buxhetin e 2015-ës do të mbulohen kryesisht nga kursimet në pagat e institucioneve buxhetore si dhe pjesa tjetër nga shpenzimet e tjera korrente.

Edhe në ndryshimin e tretë të buxhetit, qeveria ka prekur fondet e investimeve publike, duke i shtuar ato kryesisht për projektet me ecuri të lartë. Sipas ligjit, brenda 45 ditëve nga miratimi ne qeveri, ky akt normativ duhet të dërgohet dhe miratohet në parlament.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb