NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- Nxënësit nga klasa e parë e deri në të 3-ën nuk vlerësohen më me nota dhe as me mirë dhe shumë mirë, por me vlerësim përshkues në 5 shkallë nga mësuesi. Ky vlerësim i ri ka hyrë në vitin shkollor 2014-2015 duke kërkuar të evidentojë anët e forta dhe të dobëta të çdo nxënësi. Sipas këtij vlerësimi në regjistër mësuesi vendos kodin nga 1-5, kode këto që përkojnë me vlerësimin përshkues. Vlerësimi i ri fillon me togfjalëshin arritje të kënaqshme duke përkuar me fjalën dobët ose notën 4 dikur, ndërsa shkalla më sipërore është arritje të shkëlqyera, që përkon me notën 10. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj shpjegon metodologjinë e re të ndjekur.

Sipas Malaj, kjo metodë e zgjedhur synon që nxënësit të jenë aktivë në mësim dhe të shprehen duke ndërvepruar dhe bërë kështu orën e mësimit më tërheqëse dhe duke i dhënë fund analfabetizmit funksional.

Kjo risi për filloren do të shërbejë që në fund të çdo viti të shihen tendencat që ka çdo shkollë dhe më tej çdo qark dhe këto të dhëna të detajuara të shërbejnë në të ardhmen.

Malaj tha se kjo metodë do të zvogëlojë braktisjen e shkollës dhe do të krijojë të dhëna të mjaftueshme për prirjet e nxënësve duke i orientuar drejt profesionit apo drejt universitetit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb