Kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku në emisionin “Kjo Javë” në “News24” u ndal tek inceneratori i Elbasanit.

Tabaku tha se inceneratori i Elbasanit, nga pikëpamja e procedurës është shkelja më e madhe ndër të tre, ndërkohë që Fieri dhe Tirana kanë shkeljet financiare më të rënda.

Më tej Tabaku shtoi se Agaçi është përgjegjës për përshpejtimin e çdo procedure, për vendosjen e Këshillit të Ministrave në funksion të kompanisë së inceneratorit dhe ka tejkaluar kompetencat të cilat nuk i takonin këshillit të ministrave.

“Unë e kam të pamundur të merrem ne z. Lefter Koka, për sa kohë është përpara drejtësisë dhe do të fokusohem te personat e tjerë që janë të përfshirë. Inceneratori i Elbasanit, nga pikëpamja e procedurës është shkelja më e madhe ndër të tre, ndërkohë që Fieri dhe Tirana kanë shkeljet financiare më të rënda. Inceneratori i Elbasanit i ka kryer të gjitha procedurat në 40 ditë, dhe z. Agaçi është përgjegjës për përshpejtimin e cdo procedure, për vendosjen e Këshillit të Ministrave në funksion të kompanisë së inceneratorit dhe ka tejkaluar kompetencat të cilat nuk i takonin këshillit të ministrave. Këshilli i Ministrave nuk ka pse të miratojë çështje financiare të inceneratorit. Ministria e Financave i bën i kanë bërë për mburojë, për të hequr përgjegjësinë individuale e për ta bërë përgjegjësinë kolektive. Z.Agaci është përgjegjësi sepse ka marrë 17 vendime në këshillit të ministrave brenda 10 ditësh, është përgjegjës sepse ka ngritur të gjithë qeverinë në këmbë që kjo kontratë të firmosej në kohë rekord. Ndërkohë që nga pikëpamja e procedurave, sekretari i përgjithshëm i ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako ka qenë ai që ka qenë i përfshirë në procedura, që i është dhënë një kompanie e krijuar nga asgjëja, e një vajze 27 vjecare, me 1 mln lekë llogari bankare dhe kapital. Pa patur asnjë njohur për menaxhimin e mbetjeve, një koncension prej 24 mln eurosh. Kanë marrë një kredi në bankë për ta mbuluar inceneratorin dhe kanë mbuluar kredinë me fonde të taksa paguesve shqiptarë.” tha Tabaku, ndërsa u ndal edhe në shkeljet e hasura sipas saj edhe nga kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj lidhur me inceneratorin e Tiranës.

“Kemi shkresën e kryetarit të bashkisë, duhet të ishte dhënë nga qarku i Tiranës, dhe jo prej tij. Kreu i bashkisë Tiranë ka marrë përsipër kosto financiare për këtë projekt duke mos i patur kostot në buxhetin e shtetit, kjo është një shkelje shumë e rëndë ligjore, dhe i ka marrë këto në emër të tij. Atribut që i takon këshillit bashkiak të Tiranës.” tha më tej Tabaku, ndërsa theksoi se janë 2 raporte të KLSH që faktojnë vjedhjen në Tiranë.” tha Tabaku.

“Ministria e financave dhe ministria e Zhvillimit Ekonomik ku ka qenë më parë z.Ahmetaj kanë patur një rol kyë në procedura. Roli kyç vihet re te inceneratori i Elbasanit dhe Fierit, për lehtësimin e procedurave por ajo që është më e rëndësishmja vihet re në inceneratorin e Tiranës. Te inceneratori i Tiranës, unë e përmenda, shkeljet më të mëdha janë financiare. Ministria e Financave që drejtonte atëherë z.Ahmetaj ka mbyllur sytë për një kontratë që është firmosur në euro, e cila ka një risk të normës së inflacionit. Dhe ka një risk të jashtëzakonshëm financiar dhe është dhënë një kontratë pa ekzistuar fondet edhe ana e ministrit Ahmetaj. Kur ka nisur fillimisht kontrata ka qenë 90 mln euro. Unë kam një këmbim shkresor, që vërteton se ministria e Financave i ka mbyllur sytë për inceneratorin e Tiranës, ka dhënë ok, pa qenë e sigurt se ligji zbatohet, nis pagesa në momentin që firmoset kontrata. Çdo kontratë tjetër kur zbatohet ka një grafik punimesh, te inceneratori ka ndodhur ndryshe.” u shpreh Tabaku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb