Sot përmbyllet fushata elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Kjo ka qenë fushata më civile e organizuar ndonjëherë, sepse Partia Socialiste dhe Kryeministri Rama zgjodhën t’iu drejtohen qytetarëve me një “sjellje politike të gjelbër”, duke përcjellë mesazhin e vazhdimësisë dhe thellimit të mëtejshëm të transformimeve për qytetet dhe fshatrat tona.

Edhe në qarkun e Korçës, dinamika e kësaj fushate ka reflektuar qytetarinë që e karakterizon trevën tonë, falë fisnikërisë së njerëzve të saj të punës, falë historisë e traditës sonë vështirësisht të krahasueshme, falë intuitës së të rinjve për të qenë të orientuar gjithmonë kah ndryshimeve pozitive, duke rrezatuar shembull jo të zakonshëm emancipues për mbarë shoqërinë shqiptare, e duke bërë dallimin e qartë të modelit të qeverisjes vendore që përfaqësojnë kandidatët e Partisë Socialiste.

Vëmendja dhe mbështetja e rikonfirmuar e qeverisë qendrore dhe Kryeministrit Rama përbëjnë garanci për realizimin e projekteve të paraqitura dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët në të gjitha bashkitë e qarkut tonë.

Qarku i Korçës gjatë harkut kohor të 4 viteve të shkuara, ka përfituar mbështetje shumë të rëndësishme me investime të qeverisë që shkojnë rreth 100 milionë dollarë për të gjashta bashkitë. Falë këtij bashkëpunimi është lehtësuar shumë puna ne nivelin vendor të qeverisjes, sepse pa këtë binom ndërveprimi, pa këtë konstruktivitet institucional ndërmjet dy niveleve të qeverisjes, shumë nga projektet transformuese të habitateve tona urbane e rurale nuk do të ishin realizuar.

Sot ato janë në shërbim të komuniteteve tona për rritjen e mirëqenies, fuqizimit të ekonomisë lokale dhe sidomos zgjerimit të ofertës në funksion të zhvillimit të turizmit gjithëvjetor, me objektivin afatmesëm që qarkun tonë ta vizitojnë më shumë se 1 milionë turistë vendas e të huaj në harkun kohor të një viti.

Sfida e radhës është që skuadrat e institucioneve tona, duke filluar nga bashkitë dhe ato të institucioneve rajonale me varësi nga qeverisja qendrore, të kenë ritmin e duhur për të stimuluar përpjekje dhe energji të përbashkëta, në mënyrë që qytetarëve t’iu ofrohen mbështetje dhe shërbime gjithnjë e më cilësore, ndryshime të prekshme dhe shtrat potencialesh për fuqizimin e ekonomisë familjare dhe rritjes eksponenciale të bizneseve të qarkut tonë.

Është e pamohueshme që ka ende shumë punë për të bërë, e sidomos në anekset rurale përreth zonave tona urbane, aq më shumë atyre të skajeve. Por ndryshimi i parë i domosdoshëm, është ai i mendësisë sonë për ta konsideruar zhvillimin e qëndrueshëm si një qasje të integruar brenda rajonit, si një bashkim profesionistësh pa dallime politike, si një filozofi ndërveprimi social dhe ekonomik të shtrirë edhe në territor, për të bërë prioritet politika zhvillimore dhe projekte afatgjata, që forcojnë kapacitetin përthithës të investimeve rajonale, që krijojnë ura fluide të konsolidimit të zinxhirit të ekonomisë rajonale në ato fusha e sektorë që shquhet zona jonë, duke fuqizuar e konsideruar si agjentë zhvillimi në këtë mënyrë edhe fermerin, profesionistin, intelektualët e lirë, padyshim të rinjtë tanë, universitetin, sipërmarrjet tona e pse jo edhe nxitjen e krijimit të modeleve të federatave apo shoqërive të nënsektorëve të ndryshëm të bujqësisë, në mënyrë që produktin “made in Korca Region”, ta kthejmë në një brand kombëtar, e pse jo edhe në një produkt të certifikuar për eksport.

Në mes të kësaj kornize gjithëpërfshirëse të zhvillimit e progresit, qëndron e pandryshuar edhe nevoja për të ushqyer shpirtin me më shumë kulturë, më shumë art, më shumë ngjarje artistike, më shumë argëtime e sport, veçanërisht për të rinjtë e fëmijët.

Partia Socialiste është forca e vetme politike që udhëheq me shembull pozitiv e gjeneron ndryshim e përparim.
Sukses gjithë kandidatëve tanë në 14 Maj!

* Nertil Jole është Prefekt i qarkut të Korçës

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: