TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha tha sot në një takim me ekspertë dhe gazetarë për situatën e rendit dhe sigurisë në vend se pavarësisht nga shkalla e dëmtimit të Policisë së Shtetit, aty ka me qindra gra e burra me uniformë të cilët presin me padurim t’iu krijohet mundësia për të zbatuar ligjin.

Ai premtoi se çdo lëvizje e reformë që do të ndërmerret nga PD-ja në qeveri do ketë si qëllim konsolidimin e një institucioni jetik për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë.

“Situatë dëshpëruese në pamje të parë, por unë personalisht jam optimist dhe pavarësisht nga shkalla e thellë e dëmtimit të policisë së shtetit, nga rekrutimi dhe angazhimi i banditëve në polici, trafikantëve, të droguarve, përsëri aty ka me qindra gra e burra me uniformë të cilët me padurim presin t’u krijohet mundësia për të zbatuar ligjin.
Në vitin 2005 situata ishte e rëndë, shumë e rëndë, por nuk do ta harroj ndonjëherë të vetmen kërkesë të oficerëve të policisë, e cila ishte ‘z.kryeministër në qoftë se ne do të merremi me ta kërkojmë nga ju që të mos na ndërprisni betejën. Ne e çojmë deri në fund, me kushtin e vetëm që në këtë përpjekje të mos na urdhëroni që të tërhiqemi’. Ajo nuk ndodhi kurrë, ata përmbushën detyrën me dinjitet. Përveç kësaj, sot në kushtet e reja, pa diskutim që një trajtim krejt tjetër është i domosdoshëm për Policinë e Shtetit për të përballuar të gjitha format e presionit. Ju garantoj që çdo lëvizje, çdo reformë e PD-së do ketë vetëm një qëllim, konsolidimin e një institucioni jetik për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë për zbatimin e ligjit në Shqipëri.
Mendimet tuaja do jenë pjesë substanciale e programit të PD-së”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb