TIRANE– Për tre ditë në ambientet e Qendres Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur dhjetë persona me simptoma helmimi.

Të hënën, të martën e të mërkurë në QSUT janë paraqitur persona me të vjella e diarre, dhe nga ato çka deklaruan ka rezultuar se ishin helmuar tek restoranti “Artigiano” në zonën ish-Bllokut në Tiranë.

Mësohet se të 10 personat e helmuar janë jashtë rrezikut për jetën.

Pas kësaj është njoftuar ISHP dhe janë marrë masat për verifikimin e shkaqeve të helmimit, dhe është mbyllur restoranti deri në zbardhjen e ngjarjes.

AKU: 3 MASA DISIPLINORE, GJOBËN E FUNDIT IA VENDOSËN MË SHKURT
Autoriteti i Kontrollit Ushqimor bën me dije se ka kontrolluar edhe më herët restorantin ku u helmuan 10 persona, ndërsa shton se ka marrë 3 herë masa disiplinore me gjobë. Duke shtuar se kanë nën monitorim të vazhdueshëm aktivitetet e restoranteve, AKU-ja sqaron se kontrollin e fundit tek “Artigiano” e ka bërë në muajin shkurt, ku është vërejtur mangësi në dokumentacionin e produkteve dhe shtë gjobitur.

AKU ju bën me dije se, ky restorant ka qënë në vëmendjen tonë dhe ndaj tij është marrë tri herë masa disiplinore me gjobë. Kontrolli i fundit i ushtruar nga AKU në restorantin ‘Artigiano”, është zhvilluar në muajin shkurt të këtij viti. Gjatë këtij inspektimi, inspektorët e AKU kanë konstatuar mangësi në dokumentacionin shoqërues të produkteve ushqimore, pra dokumente që i mungonin sistemit të gjurmueshmërisë. Për këtë arsye, restoranti “Artigiano” është gjobitur nga AKU me vlerën e 100 mijë lekëve. AKU iu vë në dispozicion edhe aktin e inspektimit, duke garantuar mediat dhe konsumatorin, se pavarësisht emrit, pavarësisht nëse një subjekt ndodhet në ish-Bllok apo në zonat më periferike, nuk i shpëton vëmendjes dhe kontrollit të AKU-së.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: