Banorët e Marinzës do të përfitojnë nga një sistem i ribërë për kullimin e ujit, një investim i bërë nga Bankers Petroleum Albania.

Projekti përfshin pastrimin, sistemimin dhe mbulimin me tuba të kanalit kryesor në Marinzë, i cili i hap rrugë investimeve në infrastrukturë, ndriçim, trotuar dhe krijimin e hapësirave të gjelbra.

CEO i Bankers Petroleum Albania, Huanqin Xiao priti në një takim Kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi në prag të finalizimit të projektit.

“Me këtë rast dua të falënderoj Bankers Petroleum Albania për bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm, ndërmjet Bashkisë – Komunitetit dhe Kompanisë. Ky investim financohet totalisht nga Bankers dhe është shumë i rëndësishëm për banorët e Marinzës. Sot shënojmë përfundimin e fazës së parë dhe jemi të lumtur që punojmë së bashku me Bankers për të përmirësuar jetën e 2200 qytetarëve të zonës”, tha kryetarja e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi.

I pranishëm në ceremoni, ishte Drejtori i Përgjithshëm i Bankers Petroleum Albania, Huanqing Xiao.

“Ne në Bankers Petroleum Albania jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij projekti të rëndësishëm për komunitetin vendas. Ne jemi një Korporatë e Qytetarëve të Mirë dhe duam t’i kthejmë komunitetit sa më shumë të mundemi. Sot është një rindërtim, nesër do të jetë një tjetër projekt që do të përmirësojë jetën e qytetarëve të zonave ku ne operojmë dhe jo vetëm. Jemi të hapur për të mbështetur projekte të ngjashme me fokus qytetarët. Bankers çdo vit financon projekte të rëndësishme kushtuar qytetarëve të zonave ku kompania operon, duke u fokusuar kryesisht në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe zona rekreative. Bankers punon për të rritur teknologjinë e nxjerrjes së naftës pa harruar investimet që duhet të bëjë në komunitet dhe punon në të gjitha fushat për të përmirësuar jetën e tyre sociale, në infrastrukturë apo aktivitete të tjera sportive. Ky investim do të shërbejë për përmirësimin e infrastrukturës së fshatit Marinzë, e cila përfshin përmirësimin e kushteve për kullimin e ujit dhe rritjen e mundësisë për një mjedis më të mirë”, tha ai.

Bankers Petroleum Albania ka një program kushtuar projekteve komunitare me fokus zonën e Patosit, Roskovecit dhe Fierit si dhe ka kryer dhjetëra investime të rëndësishme që kanë ndihmuar banorët.

Gjatë tre viteve të fundit në zonën e Marinzës janë investuar më shumë se 200 mijë dollarë nga Bankers për ndërtimin e dy rrugëve të reja kryesore për këtë fshat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb