Arratisja e Mustafa Korçës, nuk ka qenë një arratisje si të tjerat. Sigurisht, e bujshme si të gjitha në atë periudhë, për sfidën, guximin, mënyrën, mbi të gjitha për alarmin, goditjen që i jepte kjo ngjarje shtetit prepotent, agresiv, izolues dhe diktatorial. Por, ajo e Muç Korçës ishte ndryshe: Një djalë i ri 21- vjeçar, artist, piktor, skulptor, arratiset duke braktisur pikën kufitare, piramidën, ku e kishin caktuar të kryente shërbimin ushtarak, madje bashkë me “Kallashin” që i’a kishin dhënë për të mbrojtur kufirin nga “armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm”! Lajmi befasues u përhap me shpejtësi: “Është arratisur… ka ikur Muç Korça. Ka lënë edhe një letër”. Sot, pas afro gjysmë shekulli, Mustafa Korça (Muçi), i rikthehet asaj ngjarje, çastit kur mori vendimin, letra që la pas, kalimi i kufirit, duke u gdhirë 21 dhjetori i vitit 1978. “U arratisa se më mohuan të drejtën e studimit”, shprehet ai. Mustafai rrëfen qëndrimin në Jugosllavi, Itali, Belgjikë, jeta në Suedi, pastaj në SHBA-ës. Dëshira për të takuar lojtarët e “Partizani”-t në Malmo, ku ai u ndesh edhe me djalin e Enver Hoxhës e Mehmet Shehut dhe shoqëruesin e tyre, Gani Kodrën, me valltarët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në Hamburg dhe në Goteborg, etj. Muçi ruan ende letrat, kartolinat, dokumente, foto të rralla të kohës. Nuk ka ndryshuar, është ai Muç Korça i qetë, me një gjykim e arsyetim të matur. “Para ca kohësh isha në Resnje të Maqedonisë, qyteti ku qëndrova pas arratisjes. Nuk kisha qenë asnjëherë më parë”, tregon ai në këtë intervistë.

Z. Korça, ju kujtohet cila ishte atmosfera në Shqipërinë e viteve ’70-të, pra para arratisjes suaj?

Pas viteve ’70-të, shpresat drejt Europës u mbyllën për të gjithë, veçanërisht për rininë dhe ëndrrat e saj. Izolim total, situata ekonomike dhe ajo politike ishte agresive, më e rënduar se kurrë. Në veçanti, lufta kundër shfaqjeve të huaja, ndihej në të përditshmen, punë, shkollë, kudo.

 Ju keni kryer Liceun Artistik, por nuk ju lanë që të diplomoheshit, çfarë ngjau?

Nga viti 1971 deri më 1975-ën, vazhdova Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tirana, në degën e skulpturës. Pa dashur të mburrem e të flas për veten, për hir të vërtetës më duhet të them se unë isha ndër më të mirët e klasës, bashkë me Agim Mujon. Pak muaj para diplomimit pati një ngjarje, më dënuan për sjellje liberale, shfaqje të huaja, pasi isha tip i hedhur, i shkathët, modern. Këtë më nxorën si pretekst, edhe pse kisha bërë gati etydin si mbrojtje diplome, por nuk më lanë ta mbroja.

Një egoizëm i pashoq nga drejtori Ruhi Pashari. M’u bë një padrejtësi e madhe, pa asnjë arsye. Dhe kulmi ishte kur më caktuan në Mirditë, si disenjator. Një emërim absurd, vetëm me shkollën e mesme, pa marrë diplomë, që ishte veprim ilegal. Dy ditë qëndrova në Rrëshen, në Shtëpinë e Kulturës, dhe u ktheva në Tiranë. Kujtoj një drejtues, Gojard Daia, njeri i mirë, më ka ndihmuar të më merrja dokumentet gjë e cila u bë e mundur që të filloja punë si skenograf në Teatrin e Operës në Tiranë.

Si u bë e mundur të fillonit punë si skenograf në Teatrin e Operës?

Që të nisja punë në Teatrin e Operës dhe Baletit, ishte tejet e vështirë, por ajo gjë u bë e mundur në vitin 1976 dhe për t’u sistemuar aty me punë më ka ndihmuar shumë drejtori atëhershëm, Xhemil Simixhiu, njeri fisnik, liberal, që në mjaft raste më ka mbrojtur nga sulmet e Sekretarit të Partisë. Babai kishte punuar shumë vite si rrobaqepës aty dhe më 1976-ën, ishte ndarë nga jeta.

Punoja si skenograf bashkë me piktorë të njohur si Hysen Devolli, Gjergji Marko, Niko Progri e K. Dilo. Kam realizuar skenografinë e baletit “Tokë e pamposhtur”, “Karnavalet e Korçës”, etj. Gjatë asaj periudhe, punoja edhe me relieve të sfondeve të sallave të kongreseve, me polisterol, ku isha bërë profesionist.

E megjithatë, ju priste edhe shërbimi ushtarak apo jo?

Isha 21 vjeç, shtator 1978, papritur më vjen fletë-thirrja për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në mënyrë flagrante nuk më lanë kohë as të ankohesha, gjë e cila ishte një formë për të më mbyllur gojën, e larguar nga puna dhe nga Tirana. Gjithçka ndodhi brenda pak ditëve dhe më dërguan ushtar në Korçë, 27 muaj në kufi. Ishte befasi nuk e prisja as unë, as familja. Tre muaj karantinë u mërzita, një tronditje e madhe psikologjike.

Më caktuan në Nikolicë në kufi me Greqinë, që ishte zona më e keqe. Dërgimi im atje ishte si dënim, pasi nga Tirana për mua kishte ardhur një relacion jo i mirë. Unë reagova dhe para se të niseshim, vjen një ushtarak, Kapllan Mati dhe më thotë: “Ushtar Korça, do të shkosh në Goricën e Madhe ku do qëndrosh vetëm një muaj, pastaj do të vish si disenjator në degën ushtarake në Korçë”, gjë e cila më gëzoi dhe më qetësoi disi.

Ndërkohë, e kishit menduar ndonjëherë që do të arratiseshit?

E kisha ndarë mendjen që do të arratisesha, por nuk e kisha diskutuar kurrë me njeri, as me miq, shokë, madje as atyre të familjes nuk u kisha thënë gjë. Kisha folur pak vetëm me një shok, Ilir Melo, edhe ky nga Tirana. Iliri ishte djalë i pashëm, me të atin ambasador, kishte lindur në Çekosllovaki.

U bëmë shokë në ato muaj, iu hapëm njëri-tjetrit, kishim të njëjtin mendim, të arratiseshim. Pas një jave, kur unë u arratisa e kishin thirrur ata të Sigurimit dhe e kishin pyetur: “Ke folur me Mustafain? Çfarë keni diskutuar, të ka thënë se do të arratisej”?! Ai ishte përgjigjur: “Jo jo, asnjëherë nuk kemi diskutuar për një gjë të tillë”.

E keni takuar më pas Ilirin?

Si fillim desha të them se me Ilirin, pasi të arratiseshim, kishim lënë të takoheshim në Paris, një ndër netët kur hëna të ishte e plotë, takime futuriste, fantazi e moshës. Por, kur na ndanë në reparte të ndryshme, qëlloi që ai nuk ishte në një pikë me mua. Kështu unë ika, u arratisa nga fshati Goricë e madhe, kurse ai nuk mundi.

Sot, Iliri ndodhet në SHBA-ës dhe më 1996-ën, në Nju Jork, krejt rastësisht në një lokal (Bar-Kafe), i kishin folur për mua dhe ai kishte pyetur e u takuam. U përqafuam me shumë mall. “E shini këtë burrë, – u tha miqve që ishin aty, – vetëm unë e kam ditur që ky do të arratiset”. Aty më tregoi se çfarë kishte ndodhur pasi unë u arratisa.

Si e kujton kur ju dërguan me shërbim në Goricë të Madhe?

Na hipën në një automjet dhe na çuan në pikën kufitare, rreth 1 orë larg Korçës, Goricë e Madhe. Si ushtarë të rinj, na shoqëruan të shihnim brezin kufitar, klonin, duke na ngjitur në Malin e Thatë. Na informuan për kushtet e shërbimit, ku dhe si do të kryhej. Kishte disa të tilla: “Shërbim sekret”, ai me lëvizje në brezin kufitar dhe “Shërbim pike”. Më dhanë armën dhe 300 fishekë. Aty ishim rreth 15 ushtarë.

Si e kujton arratisjen?

I kam të fiksuara të gjitha minut pas minute, sikur të kenë ndodhur dje. Ka qenë ora 4 e mëngjesit kur mora shërbimin, ishte i pari shërbim, (“Shërbim pike”, quhej), natë e errët, i vetëm, tmerr…! Mendoni: nga Tirana, roje në kufi…! Ishte data 21 dhjetor 1978, rreth orës 05:00, ende pa u zbardhur, pak mjegull, ftohtë…!

Vendosa të arratisem. Braktisa shërbimin, kujtoj piramidën e shkruar në dy faqe dhe me ‘kallashin’ në dorë, kalova gardhin kufitar që ishte i ulët, 1 metër. Kur na patën treguar zonën, e kisha fiksuar duke u orientuar me pikën kufitare jugosllave, rreth 300 m. larg. (Para se të merrja shërbimin atë natë, lashë një letër aty, nën batanijen e krevatit tim).

Ndoqa një rrugë të drejtë me zhavorr, ishte në zbritje dhe deri ku fillonte asfalti, nuk kishte asnjeri. Stenja ishte fshati më i afërt, rreth 1 km. Kështu në pak çaste, e kisha kaluar kufirin dhe ndodhesha në Maqedoni. Isha krejt i mpirë, më dukej e pabesueshme, madje si ëndërr, më shkonin djersë të ftohta, emocione të forta, por jo frikë.

E dije ku po shkoje, fshati, zona se cila ishte më afër?

Asgjë nuk dija. Në Stenjë, stacioni i Policisë ishte një shtëpi e vogël, ku një polic më nderoi me dorën lart, se më pa ushtarak, “Komshia, komshia”, ishin fjalët që më tha. Më futën në një dhomë. Pas një gjysmë ore erdhën të gjithë, me shefin në krye. I kishte kapur paniku. Pas pak më sollën një përkthyes, Bashkim Avdyli, kosovar, shumë djalë i mirë që kryente shërbimin ushtarak aty. Më kërkuan armën, unë refuzova, por Bashkimi më afrohet: “Hej shqipe, dorëzoje dhe kërko azil”, më thotë ai.

E kuptuan që isha arratisur, por ndonjë ushtar, nuk kishte ndodhur më parë të ishte arratisur aty. Më sollën për të ngrënë, djathë të bardhë, vezë. Kam qëndruar 9 ditë si në një gjysmë izolimi në një bodrum, por të gjithë ishin dashamirës me mua. Natën e Vitit të Ri, më ftuan të shihja televizor. Pastaj më çuan në Resnje, fillimisht në një stacion policie, pastaj më vendosën në një hotel, “Kitka”, quhej, në një dhomë në katin e tretë.

Po te letra që kishit lënë te krevati juaj, çfarë kishit shkruar dhe kujt ja adresoje?

Në ato dy faqe letër që i shkrova në mbrëmje, para se të merrja shërbimin, i’a adresoja shtetit, me emra dhe detaje për të gjitha padrejtësinë që më ishte bërë, duke filluar me shkollën, mosdhënien e së drejtës së studimit dhe se ajo që kisha bërë, nuk ishte një arratisje politike. Këtë të fundit, pra se nuk ishte një arratisje për motive politike, e bëra që të shpëtoja sa të ishte e mundur familjen time.

E vendosa nën batanije të fjetores dhe e kam mbyllur me fjalët: “Përshëndetje nga i arratisuri Muça Korça”. Më vonë kam mësuar se deri në Tiranë kishte mbërritur informacioni se çfarë kisha shkruar. Madje, Sigurimi Shtetit kishte hapur fjalë se: Muç Korca është arrestuar, duke treguar si fakt çantën time, atë ushtarake që e lashë kur u largova. Por asgjë nuk ishte e vërtetë, ishim vetëm makinacionet e tyre.

Kur ishte në Resnje, a patët frikë nga ndonjë reagim i shtetit shqiptar, pra që mund t’ju kthenin?

Frikë nuk kisha, por nuk e përjashtoja mundësinë se çdo gjë mund të ndodhte. Në një ditë, në Resnje erdhën aty dy kamionë ‘TIR’ të transportit nga Shqipëria dhe shoferët fjetën atë natë në hotelin “Kitka”, ku isha unë. Më njoftuan ata të recepsionit duke më treguar pasaportat e tyre që i kishin lënë aty (në recepsion), kur kishin bërë regjistrimin.

I pashë fytyrat e tyre, por nuk i njihja. “Mos dil, qëndro në dhomë se i ke përballë. Sidoqoftë, je në vrojtimin tonë, të ruajmë ne, por mos u largo se Sigurimi i Shtetit Shqiptar, mund të rrezikojë”, më këshilluan autoritetet jugosllave që më kishin në mbikëqyrje, të cilët ishin shumë liberalë.

 A u përcoll me bujë arratisja juaj aty në Resnje?

As gazeta lokale, radioja, Tv, nuk kishte dhënë asnjë lajm për arratisjen time. Në qytet dilja, shëtisja me Bashkimin. Kur të jepnin azil, jugosllavët nuk të kthenin, aq më shumë për një ushtar të arratisur. Ligji i emigrantit më mbronte. Më dërguan në një dyqan ku më blenë veshje dhe më propozuan të filloja punë si disenjator në Resnje, te firma e njohur “Agrofllot”, por nuk pranova.

Sa qëndrove në Resnje?

Aty qëndrova dy muaj. Më siguruan ushqime, një paketë cigare në ditë dhe 20 mijë dinarë. Vetëm dy-tri herë më kanë marrë në pyetje, me të zakonshmet: “Çfarë të shtyu, pse ike, etj.”. Flisja fare i qetë, duke i shpjeguar qëllimin arratisjes sime. Nuk kërkova të dilja në Tv: pasi siç ju thashë, doja të shpëtoja sa ishte e mundur, apo më saktë të mos e rëndoja më shumë familjen time në Tiranë.

Nisur nga kjo, unë u thoja se: jam arratisur vetëm të vazhdoj studimet, jam artist, dua jetën time private, etj., gjëra të kësaj natyre, pa sfond politik. Çdo ofertë që më bënë nuk e kam pranuar, sigurisht jo me detyrim, as presion psikologjik e fizik. Më shihnin të ri, nuk dyshonin për asgjë.

Çfarë ndodhi më tej?

Nga Resnja më çuan në Shkup, ku qëndrova 1 muaj në një konvikt gjimnazi. Më dhanë një “Liçna carta za stranac”, një dokument për të huajt. Duke shëtitur në Shkup, në një dyqan veshjeje, takoj rastësisht një person. M’u kujtua, që në Resnje atë e kishin sjellë si oficer special, për të më marrë në pyetje.

Sa më pa, më njohu, më pyeti shqip: “Muç, çfarë bën, si je, si ndihesh”? U habita dhe e pyeta: flet shqip, se në Resnje nuk më ishte shfaqur se dinte shqip. “Jam serb i Kosovës”, më tha e më tregoi se kishte studiuar për gjuhën shqipe. “Më vjen keq për ty, mos shko në Amerikë, ajo të ha, rri, qëndro afër Europës”, më këshilloi me shumë dashamirësi.

Kur u larguat nga Jugosllavia?

Qëndrova dy muaj në Shkup, ndërkohë që në fillim, kisha kërkuar të largohesha nga Jugosllavia. Në pak kohë më erdhi miratimi. Më çuan në Beograd, në një kamp azilantësh politik, ku gjeta edhe dy shqiptarë të tjerë. Qëndrova vetëm pak ditë aty, më pas na hipën në një makinë dhe na dërguan në Sezhama, një fshat në kufi me Italinë, afër Triestes.

Na lanë aty dhe na thanë të kalonim natën kufirin. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi si azilant, më kishin dhënë një letër-njoftim, por, meqë do kaloja në Itali, ma morën. Muaji prill mund të ketë qenë.

Ndërkohë që ju “kishit çarë ferrën”, si e përjetoi familja arratisjen tuaj, çfarë ndodhi me të?

Ne ishim 5 fëmijë, 3 djem dhe dy vajza, banonim në “Rrugën e Kavajës”. Unë isha i katërti. Kam qenë djalë i hedhur, por jo i zhurmës, i qetë në përgjithësi. Se çfarë kishte ndodhur me familjen time, jam informuar pas disa vitesh. Edhe ata ishin befasuar kur u kishin thënë e më pas patën pasoja të rënda.

Vëllain e madh që ishte ushtarak, e kishin çmobilizuar dhe e çuan me punë si punëtor në Uzinën “Dinamo”; motrës Monda, nuk i dhanë të drejtë studimi, madje e ndau edhe burrin, si “me biografi jo të mire”, meqë nga ana e tij, ai kishte një vëlla komunist.

Vëllain tjetër, Afrimin, e hoqën nga Ansambli i Shtetit dhe e dërguan në Kombinatin e Ndërtimit “Josif Pashko”; motrën tjetër që ishte mësuese në fshatin Kallmet të Lezhës, e hoqën dhe e lanë dhjetë vjet pa punë. Pa asnjë përkrahje, njeri nuk i fliste, as daja, halla, të afërm, nuk vinin në shtëpi. Ndërsa lagjja i vëzhgonte, i ruante vazhdimisht. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: