TIRANE- Publicisti Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmve në “News24″ tha se nëse zgjedhjet e 18 qershorit zhvillohen pa opozitën, kriza në vend do të thellohet.

Mustafaj u shpreh skeptik për vazhdimin e protestës nga ana e opozitës duke thënë se duhet të matet se sa kjo kauzë është përqafuar nga opinioni publik, ndërsa për kryeministrin Rama tha se po mban një qëndrim kokëfortë ndaj argumentave të opozitës.

“Nuk shoh që opozita të ndryshojë qëndrim, po ashtu as nga kryeministri që tha se kriza e PD nuk duhet parë si krizë e vendit. Ne gjendemi përsëri në thelb të krizës që kemi qenë, vetëm baza e të cilës thellohet. Do shohim se si do bëhen zgjedhjet nëse Rama futet i vetëm në garë. Do shohim si do administrohen zgjedhjet pa prezencën e partive të opozitës dhe do shohim si do sillet LSI. Ndërsa për Lulzim Bashën jam i mendimit që nuk është e mjaftueshme që të pëlqehesh vetëm nga militantët e partisë tënde. Lidershipi duhet të shkojë përtej, ne nuk kemi matës të opinionit publik. Duhet kuptuar sa është përqafuar kauza e opozitës nga opinioni publik. PD ka dhënë të gjitha argumentat pse nuk do shkojë në zgjedhje. Rama ka treguar se nuk lëshon pe për të dëgjuar argumentat e opozitës. Rama ka një qëndrim kokëfortë. Nuk analizon arguementat e opozitës. Ai është i qartë në kokëfortësinë e tij. Kemi parë një kokëfortësi të ngjashme në vitin 1996, kur mbeti parlamenti nga maji deri kur u krijua qeveria e Finos, mbeti pa opozitën. Çfarë reformash mund të ndërmarrë një mazhorancë pa opozitën”, tha ai, raporton ‘BalkanWeb‘.

Ndër të tjera shkrimtari është kthyer 20 vite pas, në kohët e vitit famëkeq 1997. Mustafaj rrëfen se në atë kohë ishte ambasador në Francë, ndërsa thekson se të gjithë diplomatët kaluan momente të vështira, pasi ishin ‘braktisur’ nga shtetit. Ai pohoi se në arkën e ambasadës së tij kishte vetëm 500 dollarë dhe nuk kishte mundësi që të lëvizte, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Në vitin 1997 kam qenë ambasador në Francë. Kemi pasur momente të vështira. Diplomatët thuajse ishin ‘braktisur’. Unë komunikoja çdo ditë me Berishën. Kjo për hir të lidhjeve personale që kishim. Kisha përparësi dhe angazhimin që ndjeja. Unë isha ndër ambasadorët politikë, pasi isha një nga themeluesit e PD-së. Unë shkova dhe bisedova në Ministrinë e Jashtme. Kisha në arkë vetëm 500 dollarë. Isha ambasador jo rezident. Kam rregulluar në mënyrë urgjente një takim me presidentin e Portugalisë. U detyrova të ecja për 3 mijë km me makinë dhe kam fjetur në Lisbonë tek një miku im ambasador, bashkë me shoferin tim, sepse nuk kisha lekë për hotel. E më pas kam shkuar të takoj presidentin. Unë merrja ndonjë informacion nga miqtë tanë. Trupit diplomatik duhet t’i vinin informacionet, por s’kishim as internet që të lexonim. Kisha nja 3 burime të paanshme në Tiranë, nga ata informohesha. Unë e dija nga Berisha që ai pas zgjedhjeve do jepte dorëheqje”, – ka rrëfyer Mustafaj.
 (e.f/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: