Ajo mes Leo Mesit dhe Barcelonës është një “martesë në krizë”. Ajo që e shkruan është gazeta prestigjioze argjentinase “Clarin”. Epiqendra e krisjes është çështja e pagesave me rastin e emergjencës shëndetësore, më pas fushatat në rrjetet sociale të përfolura shumë së fundmi dhe aspekti sportiv me klubin. Cila do të jetë e ardhmja e “Pleshtit”, pyet gazeta? Sipas burimeve të klubit të cituara nga e përditshmja, Mesi fiton ndërmjet 50 dhe 70 milionë eurove neto në vit. Negociatat për të hequr dorë nga një pjesë e pagës me rastin e ndaljes së kampionatit dhe që u udhëhoqën nga Mesi dhe Pike, kanë çuar palët drejt krisjes.

Atëherë ku do të shkojë ai? Florentino Perez është përpjekur shumë herë ta bindë të kalojë te Real Madridi, por kjo nuk pritet të ndodhë as tani. E njëjta gjë vlen edhe për Paris Sën Zhërmenin dhe Bajernin e Mynihut. E atëherë? Në SHBA, Kanada dhe Meksikë janë gati të bëjnë marrëzira. Dyshimet do të lindin në vitin 2023 sepse deri atëherë Leo do të qëndrojë në Barcelonë.

Pastaj është Njuells Old Bojs i Rozarios, qyteti i tij. Lionel Mesi do të dëshironte ta mbyllte aty një ditë dhe presidenti i Federatës Argjentinase të futbollit, Klaudio Tapia ka një raport të shkëlqyuer me numrin 10. Ai do të donte shumë një kalim të Mesit me fanellën kuqezi për të rritur shikueshmërinë e ligës. Problemi i vetëm është qyteti i Rozarios, i cili nuk është më ai që “Pleshti” ka lënë në vitin 2000 kur iku drejt Barcelonës. Sot ka pësuar një degradim social të madh dhe dominohet nga narkotrafiku.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb