TIRANË

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një adoleshent pasi është kapur në flagrancë duke shpërndarë drogë edhe pse ishte në arrest shtëpie.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Forcat e Posaçme “Shigjeta”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë arrestuar në flagrancë një shtetas të mitur që merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike në doza të vogla, Migel Bako, 17 vjeç, banues në Tiranë.

Punonjësit e Policisë e kanë konstatuar në rrugën “Ndre Mjeda”, shtetasin Migel Bako, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë është larguar me vrap, por gjatë ndjekjes është vënë në pranga nga Policia.

Pas kontrollit, në brezoren që mbante me vete, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 42 doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa, si dhe shumat 9000 euro dhe 7200 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.

Nga verifikimi i kryer rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe ishte larguar nga vendi i qëndrimit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale“ dhe ”Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb