TIRANË

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 47-vjeçar i cili ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ushtronte veprimtari të paligjshme duke tregtuar mallra kontrabandë pa pullë fiskale.

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë, kishte thyer masën e sigurisë dhe ushtronte aktivitet duke tregtuar mallra pa pullë fiskale, kryesisht cigare të markave të ndryshme, kanë organizuar punën duke bërë kapjen në flagrancë të shtetasit: A. H., 47 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas u konstatua në rrugën “Gjergj Legisi”, Laprakë, duke lëvizur me automjetin e tij, në të cilin kishte të ngarkuara 58 steka cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale.

Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Kontrabandë me mallra qe paguhet akcizë”, “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabande””, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb