NGA FREDERIK PREITGEN*
Udhëtimi i gazetarit në gjirin e Shtetit Islamik: Ata janë më të rrezikshëm sesa njerëzit mund ta mendojnë. “Nuk shtrohet çështja nëse ne do ta pushtojmë Evropën, kjo është vetëm çështje kohe. Por është e sigurtë … Për ne, nuk ekzistojnë gjëra të tilla si kufijtë. Për ne ka vetëm fronte lufte”- deklaroi xhidadisti. “Zgjerimi ynë do të të jetë i vazhdueshëm… Dhe evropianët duhet ta dinë se kur ne do të vijmë, ardhja jonë nuk do të jete e këndshme. Ajo do të jetë me armët tona. Ata do të detyrohen të kthehen në fenë islame, të paguajnë taksën e islamit ose do të vriten”.
Udhëtimi i gazetarit gjerman, Jurgen Todenhofer, ishte shumë i vështirë, i rrezikshëm, por edhe syhapës mbi atë çka ndodh realisht me Shtetin Islamik. Gazetari gjerman, arriti të depërtojë thellë në territorin e ISIS-it, pikërisht në zonën që xhihadistët e quajnë “Kalifatin” e tyre, duke vizituar Rakën dhe Deir Ezorin në Siri, si dhe Mosulin në Irak. Mosuli, qyteti i dytë më i madh irakian, u pushtua nga ISIS-i përmes një lufte-rrufe në qershorin e vitit të kaluar.
Todenhofer arriti të vizitojë edhe xhaminë, ku lideri i ISIS, Ebu Bekr el-Bagdadi, mban fjalimet e tij publike. Gazetari gjerman, pa realitetin e jetës së përditshme nën ISIS-in, me të gjitha dyqanet që në respekt të besimtarëve, mbyllen në mes të ditës. “Ekziston një ndjenjë e tmerrshme e normalitetit në Mosul” – shprehet Todenhofer në një intervistë ekskluzive për televizionin amerikan CNN.

“Njëqind e tridhjetë mijë të krishterë janë dëbuar nga qyteti, edhe myslimanët shiitë kanë ikur gjithashtu. Shumë njerëz janë vrarë, megjithatë qyteti ende funksionon dhe njerëzit aktualisht, e pëlqejnë stabilitetin që ka sjellë Shteti Islamik”. Megjithatë – thekson ai – ndihet një atmosferë frike e terrori në mesin e banorëve. “Sigurisht, shumë prej tyre janë mjaft të frikësuar, sepse ndëshkimet për thyerjen e rregullave të Shtetit Islamik, janë tejet të rreptë”.
Sipas udhëheqjes së ISIS-it, vetëm 300 luftëtarë xhihadistë arritën që të pushtojnë Mosulin, ndonëse u përballën me më shumë se 20 mijë ushtarë të ushtrisë irakiane, që ishin pozicionuar në qytet kur sulmi filloi. Todenhofer bisedoi me disa luftëtarë të ISIS-it, që morën pjesë në operacion. “Na u deshën rreth 4 ditë për të marrë Mosulin” – i tha gazetarit një luftëtar i ri.

“Pra, ju keni qenë vetëm 300 burra, dhe arritët të mundni 20 mijë ushtarë në vetëm 4 ditë?” – pyeti Todenhofer.
“Dëgjoni, ne nuk i sulmuam të gjithë në të njëjtën kohë. Përkundrazi, goditëm në fillim fort, linjën e parë të frontit, duke përdorur gjithashtu edhe sulmet vetëvrasëse. Pastaj të tjerët u larguan vetë shumë shpejt” – shpjegoi luftëtari. “Ne luftojmë për Allahun, ndërsa ata luftojnë për para dhe gjëra të tjera. tek të cilat nuk besojnë vërtetë.”

“Shkëlqimi” në sytë e tyre
Todenhoefer, deklaroi për CNN-in, se entuziazmi që militantët e ISIS-it tregonin, ishte diçka jashtë normales. “Kur ne qëndruan në bazën e tyre të rekrutimit, ishin rreth 50 luftëtarë të rinj që vinin çdo ditë” – tha Todenhofer. “Dhe unë thjesht, nuk arrij ta besoj shkëlqimin në sytë e tyre. Ata mendonin se po vinin në një tokë të premtuar, se ishin duke luftuar për një gjë të drejtë. Ata njerëz nuk janë budallenj.
Njëri prej tyre, sapo kishte mbaruar shkollën e lartë për jurisprudencë. Ai kishte patur oferta shumë të mira pune, por i refuzoi dhe shkoi të luftojë… Ne takuam luftëtarë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara. Njëri prej tyre ishte nga Nju Xhersi. Më thoni, a mund ta imagjinoni një burrë nga Nju Xhersi që udhëton për të luftuar për Shtetin Islamik?”
Gazetari gjerman vazhdon më tej, duke thënë se një nga pikat kryesore të fuqisë ISIS-it, është vullneti i tyre jo vetëm për të luftuar, por madje edhe për të vdekur në fushën e betejës.

Todenhofer, takoi një xhihadist paska mbipeshë në një “shtëpi të sigurt”. Ky tregoi se mbante veshur një jelek vetëvrasës gjatë çdo beteje që merrte pjesë, pasi ai është tepër topolak për të vrapuar larg dhe nëse do të rrethohej nga armiku, do të zgjidhte të hedhte veten në erë, në vend se të kapej rob lufte.

ISIS-it ka gjithashtu histori të shumta abuzimesh, torturash dhe ekzekutimesh të robërve të luftës. Todenhofer, pati vetëm pak kohë në dispozicion, për të biseduar me një luftëtar kurd, të rënë rob në duart e xhihadistëve në Mosul. Robi pretendoi se nuk ishte torturuar, por Todenhofer thotë se e ka të vështirë ta besojë këtë. “Ai ishte një njeri totalisht i dërrmuar” – tha Todenhofer duke shtuar: “Ishte një gjë shumë e trishtuar, të shihte një njeri në atë gjendje.

Ai ishte thjesht shumë i dobët dhe kishte tepër frikë nga rrëmbyesit e tij”. Todenhoefer, po zhvillonte intervistën me të burgosurin, teksa disa luftëtarë të ISIS-it po vëzhgonin. Gazetari e pyeti kurdin, nëse e dinte se çfarë do të ndodhte me të. “Këtë nuk e di” – deklaroi robi. ”As familja ime nuk e di se unë jam ende gjallë. Shpresoj se ndoshta do të ketë një lloj shkëmbimi të të burgosurve”. Todenhofer, gjithashtu u dërgua të shohë ushtarët fëmijë, të pajisur me veshje ushtarake, simbolet e Shtetit Islamik, dhe duke tundur në duar automatikët kallashnikovë. Njëri nga djemtë që dukej shumë i ri, pohoi se ai kishte shkuar tashmë për të luftuar për ISIS.

“Sa vjeç jeni?” e pyeti Todenhofer. “Unë jam 13 vjeç” – u përgjigj djali, ndonëse në realitet dukej më i ri se aq. Njëri prej episodeve më të spikatura të udhëtimit të Todenhofer në rajonet e kontrolluara nga ISIS-i, ishte intervista me një luftëtar gjerman që foli në emër të udhëheqjes së Shtetit Islamik. Njeriu, që hapur nuk shfaqte asnjë brejtje ndërgjegjeje për krimet e kryera, paralajmëroi se bota ka shumë më tepër për të parë. Ai lëshoi me këtë rast një paralajmërim të fortë për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Pra, ju kërkoni që të vini në Evropë?” – pyeti Todenhofer.
“Jo, ne do ta pushtojmë një ditë Evropën!” – tha luftëtari.

“Nuk shtrohet çështja nëse ne do ta pushtojmë Evropën, kjo është vetëm çështje kohe. Por është e sigurtë … Për ne, nuk ekzistojnë gjëra të tilla si kufijtë. Për ne ka vetëm fronte lufte”- deklaroi xhidadisti. “Zgjerimi ynë do të të jetë i vazhdueshëm… Dhe evropianët duhet ta dinë se kur ne do të vijmë, ardhja jonë nuk do të jete e këndshme. Ajo do të jetë me armët tona. Ata do të detyrohen të kthehen në fenë islame, të paguajnë taksën e islamit ose do të vriten”.
Todenhoferi e pyeti luftëtarin për trajtimin e njerëzve të tjerë, sidomos myslimanëve shiitë. “Çdo të ndodhë me 150 milionë shiitët, nëse ata refuzojnë të ndërrojnë fe?” – ishte pyetja e Todenhoferit. “150, 200 apo 500 milionë, kjo nuk ka rëndësi për ne” – u përgjigj luftëtari. “Ne do t’i vrasim ata të gjithë.”

Prerja e kokave
Intervista u bë jo pak nervoze, kur preku temën e ekzekutimeve me prerje koke apo skllavërimin, veçanërisht të robinave femra. “Seriozisht mendoni se prerja e kokave apo skllavërimi, përbëjnë progres për njerëzimin?” – pyeti gazetari gjerman. “Skllavëria, absolutisht është përparim” – tha xhihadisti. “Vetëm njerëzit e paditur besojnë se nuk ka skllavëri në mesin e të krishterëve apo hebrenjve. Sigurisht që ka gra, që janë të detyruara të ushtrojnë prostitucion, në rrethanat nga më të këqijat.”

Unë do të thosha se skllavëria, është një ndihmë e madhe për ne, dhe ne do të vazhdojmë ta praktikojmë, si skllavërinë ashtu edhe prerjen e kokave, pasi kjo është pjesë e fesë sonë… Shumë skllevër, që janë konvertuar në Islam më pas janë liruar”. Zëdhënësi i ISIS-it, fajësoi politikën e SHBA-së, në rastin e ekzekutimit me prerje koke të disa gazetarëve perëndimorë apo edhe vullnetarëve humanitarë, që ishin kapur peng.

“Njerëzit, duhet vërtet të mendojnë për rastin e Xhejms Folejt,” tha ai. “Ai nuk u vra për shkak se ne nisëm luftën. Ai u vra për shkak të injorancës së qeverisë së tij, e cila nuk e ndihmoi”. Pavarësisht përparimeve të fundit, nga ana e forcave kurde kundër ISIS në veriun e Irakut, Todenhofer konsideron se grupi ekstremist ka baza mjaft të shëndosha në këtë rajon.

Ndërtimi i institucioneve shtetërore, nuk dëshmon se ISIS-i e ka humbur pushtetin në zonat kryesore që ai kontrollon në Irak dhe Siri. “Unë mendoj se Shteti Islamik është shumë më i rrezikshëm sesa mendojnë liderët perëndimorë” – thotë ai. “Ata besojnë në atë për të cilën po luftojnë dhe janë duke u përgatitur për fushatën më të madhe të spastrimit fetar, që bota ka parë ndonjëherë”.

/CNN/Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: