Ardi Omeri është një poet shqiptar që është burgosur për shkak të një aksidenti jo për faj të tij. Por pak kohë pasi u mbyll pas hekurave, poeti u prek nga një smundje e pashërueshme, e cila i rrezikon jetën. Megjithë kërkesat e shumta të familjarëve për lirimin e tij, ende nuk ka asnjë zgjidhje dhe nga momenti në moment, Ardi mund të humbasë jetën.

Kjo histori e dhimbshme ka ngjallur reagime të shumta si nga intelektualë e figura të njohura ashtu edhe në opinionin e gjerë publik, sidomos në rrjetet sociale. Për t’i ardhur në ndihmë, njerëz të shumtë janë bërë pjesë e një peticioni që kërkon lirimin e tij. Kjo, edhe për shkak se në 22 shtator ka një masë të re rivlerësimi të vuajtjes së dënimit, nisur nga gjendja e rënduar shëndetësore. Edhe poeti Agron Duka dhe akademiku Artan Fuga i janë bashkuar apelit për lirimin e tij.

“Ardi është dënuar me një vit burg në Rrogozhinë. Shkaku i dënimit të tij është defekti i makinës gjatë shoqërimit me dashamirësi të dy shtetaseve italiane, të ardhura për turizëm në Shqipëri, ku për pasojë një nga turistet, e cila qëndronte në sedilen e pasme nuk kishte vendosur rripin e sigurimit dhe si rrjedhim përplasi kërcirin te plastika mes dy sedileve duke thyer këmbën.

Policia rrugore e pranishme në aksident nuk e quajti shkelje këtë ngjarje pasi konstatoi se shoqëruesi i tyre, konkretisht poeti Omeri, nuk ishte nën efektin e alkoolit dhe për këtë rast as e ndaloi dhe as e gjobiti atë. Edhe prokurori i shtetit e deklaroi të pafajshëm. Ekspertiza nxori si defekt këputjen e kokës së zbarrës së paralelit, krahu i majtë. Pas gjashtë muajsh prokurori, edhe pse i njëjti, autorizoi desekuestrimin e mjetit dhe të lejes së qarkullimit.

Më vonë rrëzoi Ekspertizën shtetërore dhe konsideroi ekspertizën private. Prokurori i shtetit për ta kaluar nga neni 290 ne 290/2 që dënon me burg përdori ekspertë privatë. Kjo sepse poeti Omeri nuk “bashkëbisedoi” me të . Aktualisht gjykata e apelit nuk e uli dënimin dhe nuk pranoi asnjë lehtësi edhe pse shume raporte mjeko-ligjore italiane dhe shqiptare vërtetojnë shumë sëmundje, deri edhe gjëndra kanceroze për të cilat spitali amerikan ka shkruar: nëse nuk vazhdon kurat pacienti humbet jetën.

Ardi ka qenë shumë sëmurë. Spitali i burgut nuk kishte fonde dhe infrastrukturë për ta kuruar. Në burgun e Rrogozhinës edhe ilaçet duhet t’i blejë vetë. Është rasti i parë që një ngjarje aksidentale e tillë dënohet me burg dhe në mënyrë absolute i pari rast, që një i sëmurë në këtë gjendje lihet të vuajë.

Edhe njoftimet e dërguara tek Presidenti Republikës, Z Nishani apo ministrit Naço, nuk kanë dhënë asnjë zgjidhje konkrete. Shoqatat e Intelektualëve Durrsakë, Lidhja e Shkrimtarëve të Durrësit, kanë dërguar kërkesa për falje, por nga qeveria ka pasur vetëm heshtje dhe asnjë rezultat.

Një apel i është dërguar dhe deputetëve të Kuvendit Popullor, por deri tani asnjë iniciativë konkrete. Qëndrimi i mëtejshëm në qelinë e burgut dhe moskrijimi i kushteve më minimale për sëmundjen e tij, po e çon poetin drejt vdekjes. Mos i vrisni poetët! Mos e vrisni zërin e lirë të ndërgjegjes dhe kulturës shqiptare!
21 – Shtatori, si dita e zhvillimit të eventit “100- mijë poetë për Ndryshim” do të ketë për apel rastin e pashembullt të dënimit dhe burgosjes së artistit dhe poetit Ardi Omeri. Lirojeni poetin dhe lëreni të këndojë i lirë si vetë muza dhe shpirti i pastër i tij”, thuhet në peticion.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: