TIRANË – Të burgosurve shqiptarë po iu afrohen mundësi për ta kryer dënimin e tyre edhe jashtë burgut, falë përpjekjeve të OSBE-së.

Ambasadori i OSBE-së, Raunig, ka qënë sot i pranishëm në një marrëveshje të standardeve evropiane, të nënshkruar sot ndërmjet Burgjeve dhe Shërbimit të Provës në praninë e disa të burgosurve.

Marrëveshja parashikon fushata informuese e ndërgjegjësuese me personat e dënuar në të gjitha burgjet e vendit, në mënyrë që ata të përfitojnë sa më shumë nga dënimet alternative, fushatë që nisi që sot në burgun e Fushë Krujës, “Ali Demit” dhe “Mine Pezës”.

“Është kënaqësi të jem këtu sot për të shënuar këtë gur themeli në bashkëpunimin midis Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, që janë partnerë kyçë të Prezencës së OSBE-së, – tha ambasadori. – Mbrojtja e të drejtave të personave në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë domethënëse, kryesisht si rezultat i angazhimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Ne vlerësojmë, gjithashtu, edhe hapat e ndërmarrë për krijimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, institucion ky që ndihmon për uljen e mbipopullimit në burgje, duke ofruar, si rezultat, kushte më të mira. Prezenca ka qenë shumë aktive në fushën e reformës në burgje, duke ofruar asistencë ligjore dhe duke mbështetur institucione si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Shërbimi i Provës në Shqipëri, krijuar me ndihmën e Prezencës, përfaqëson një hap madhor në drejtim të reformimit të sistemit të drejtësisë penale, në përputhje me rregullat ndërkombëtare dhe standardet e OSBE-së,” – theksoi ai.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: