Covid-19 po futet çdo ditë e më shumë në institucionet arsimore në vend. Një tjetër nxënëse ka rezultuar pozitive me SarsCov-2 në një shkollë 9-vjeçare në Berat. Nxënësja e shkollës “Shyqyri Lakra”, e cila pasi familja e saj kishte rezultuar pozitive, kishte ditë që nuk shkonte në shkollë.
Mësohet se ajo është paraqitur në shkollë vetëm 2 ditët e para dhe më pas është karantinuar në banesë por edhe pse ka 8-ditë që nuk paraqitet në shkollë, nxënësit e klasës së saj kanë kryer tamponin për t’u siguruar se nuk janë infektuar nga shoqja e tyre e klasës. Burimet zyrtare pranë DSHP Berat bëjnë me dije se është kryer si në çdo rast, proceduara e dezinfektimit të ambienteve të shkollës dhe klasës ku mësonte nxënësja e infektuar.
Burime të besueshme pranë DSHP-së konfirmojnë se në çdo shkollë 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun e Beratit kemi të paktën nga 5-10 nxënës të karantinuar. Mësohet se këtyre nxënësve iu kanë rezultuar pozitivë familjarët dhe kjo ka bërë që ata të karantinohen deri në shërimin e plotë të pjesëtarëve të familjes, edhe pse shumica e vetë nxënësve gjatë tamponimit kanë rezultuar negativ.
(BalkanWeb)