Të ulura në një nga katet e një banese të vjetër, me pushkë ruse të precizionit të lartë, dy nga qitëset më të mira të ushtrisë siriane po prisnin prenë e tyre të radhës në lagjen ”Jabar” në Damask.

Rreshterja Rim, 20 vjeçe dhe shefja e tyre, Samar, 21 vjeçe i përkasin Brigadës së Parë të Komandos së femrave të Gardës së Republikës.

Kjo njësi elitë është në krye të detyrës më të vështirë përballë rebelëve në trekëndëshin Jobar-Zamalka-Ain Tarma, tri zona këto në lindje të kryeqytetit.

Para tyre ndodhet një gropë më e madhe se SV-98-a (pushkë ruse e precizionit të lartë – shën. përkth.) e tyre.

Përballë, me rrënojat e ndërtesave, të shtëpive dhe makinave, duket sikur nuk ka një shpirt të gjallë në fushën e betejës.

Por, pamja të gënjen pasi e gjithë ajo tokë që duket bosh në dukje, në të vërtete është plot me tunele dhe vdekja të vjen nga s’e pret.

Komandantja e tyre i përshkruan ato si më të mirat e brigadës.

”Është e vërtetë që ne kemi spajperiste cilësore”, thotë ajo.

Pas një fytyre të rrumbullakët, një buzëqeshjeje fëminore dhe syve të maskuar qëndron një luftëtare e frikshme.

”Unë vë në shënjestër tre ose katër persona në ditë, por sinqerisht kur humbas një person të armatosur, më vjen të qaj me të madhe”, pohon ajo.
– Nuk është një çështje gjinore –

Rekordi i saj: 11 rebelë të vrarë në një ditë.

”Dhe për këtë shefi im më dha një diplomë si në shkollë”, qesh ajo.

Ndërsa shoqa e saj mburret me një rekord me shtatë viktima.

Ndërtesa strategjike ku ato qëndrojnë në gatishmëri të rebelëve ndodhet vetëm 200 metra larg vijës së frontit, që është e drejtuar tërësisht nga femra ushtare.

Pas një tjetër fasade është vendosur edhe Zeinabia me B-10-tën e saj, një top rus pa kthim mbrapsht 82 milimetrash.

E pajisur me kufje antizhurmë, ajo mori si objektiv një shtëpi që ndodhej vetëm 500 metra larg dhe e goditi.

Zeinabia, 21 vjeçe, me flokë të gjata dhe me një shikim të qartë zgjodhi të ndjekë një karrierë ushtarake pas mbarimit të gjimnazit. Familja e saj dhe miqtë i kanë qëndruar gjithmonë pranë gjatë trajnimit dhe pas tre muajve kur ajo u nis te kjo komando.

Ajo tregohet radikale kur thotë se ”snajperi vret vetëm një person, ndërsa unë me B-10-ën jam e sigurt që të gjithë njerëzit e shtëpisë që godita kanë vdekur”.

Kapiteni Zaid, që qëndron në krye të ndërtesës, shprehet i kënaqur për objektivin e dy femrave nën komandën e tij.

”Nuk ka dallim mes femrave dhe meshkujve në këtë punë. Disa kanë zemër të fortë dhe kurajo disa të tjerë jo. Nuk është një çështje gjinore”, thotë Zaidi.

– 800 ushtare –

Brigada e komandove femra, që është dhe njësia e vetme e femrave luftëtare është krijuar gati dy vite më parë dhe numëron rreth 800 ushtare, të cilat janë të shpërndara në të gjithë frontin lindor dhe juglindor të Damaskut, kundër fortesave rebele.

Kur e pyetën liderin e tyre, komandantin Ali nëse kjo njësi ishte e projektuar për të kapërcyer humbje të konsiderueshme nga ushtria që prej fillimit të revoltës, nëse është e vërtetë që një OJQ ka numëruar 46 000 mijë ushtare të vrarë në katër vjet, ai e mohon.

”Ky është një vendim i marrë nga presidenti Bashar al-Assad, që të promovoje rolin e grave siriane dhe të tregojë që ajo është e aftë të korrë sukses në të gjitha fushat”, thotë ai.

Trupat e ushtrisë siriane kanë rreth 200 000 mijë burra ushtarë dhe mijëra të tjerë si rezervistë.

Rekrutimi i ushtarëve është bërë përmes posterave, kështu për shembull Angham, 21 vjeç, u rekrutua përmes një reklame të bërë në revistën ”Hama”. Dhe u trajnua pesë muaj në Akademinë e Marinës në Jbele, para se të transferohej në Damask.

”Tre vëllezërit e mi janë ushtarë dhe kam dhe një motër që dëshiron gjithashtu të bëhet ushtare”, pohon specialisti Doushka.

Sipas komandantit Ali, ushtarët rekrutë nënshkruajnë një marrëveshje 10-vjeçare.

Në ndërkohë, jashtë ndertesës qëndronte një vajzë e re, 19 vjeçe, që po bënte disa manovra me tank duke ngritur një re të madhe pluhuri.

”Ne jemi shumë femra që kemi mësuar të manovrojme një makinë ushtarake të tillë. Tanku peshon 43 tonë. Ishte shumë e vështirë, por ne ia arritëm ta mësojmë”, thotë ajo me krenari.

(a.n/AFP/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: