Situata e reshjeve për shkak të motit të keq në vendin tonë vazhdon të jetë tepër problematike.

Gazetarja Lorena Kodra raporton për “News 24” e “Balkanweb” se dëbora në disa zona të qarkut të Korçës ka shkuar deri mbi 2 metër. Ajo shtoi se disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike, për shkak të dëborës.

“Ka shumë makina në akset për në Tiranë dhe anasjellta. Ka pasur disa aksidente, që kanë shkaktuar trafik. Rëndesa në trafik ka ardhur, edhe për shkak të turistëve që ka pasur në Korçë në fundjavë. Në disa vende, ka më shumë se 1 metër dëborë. Situata është shumë problematike.

Në qarkun e Korçës vazhdojnë temperaturat e ulëta. Në qark janë bllokuar disa fshatra. Disa fshatra në fushën e Maliqit janë bllokuar po ashtu. Trashësia më e madhe është shënuar në Mashkullorë, ku bora ka shkuar 2 metër. Ka pasur probleme edhe me energjinë elektrike. Shumë akse kalohen vetëm me zinxhirë. Shumë rrugë në Korçë kanë probleme”, tha Kodra.

Më tej, gazetarja shpjegoi se edhe rruga që të çon për në Doganën e Qafë Thanës është e bllokuar.

“Rrëshqitja e një kamioni dhe një autobusi ka sjellë shumë probleme. Ka varg kilometrik automjetesh, për shkak të aksidenteve. Edhe rruga që të çon në Doganën e Qafë Thanës është bllokuar. Sa duket, situata do të vazhdojë akoma. Në disa vende, edhe borëpastrueset nuk ndërhyjnë dot”, deklaroi gazetarja.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb