Dy personat që mbetën të vdekur të mërkurën në Kavajë, dyshohet se kanë pasur konflikte të hershme dhe së fundi u takuan për t’u sqaruar, por takimi rezultoi fatal. Një nga viktimat, Edmond Gosa ishte person me precedentë, i shoqëruar disa herë në komisariat për sherre dhe konflikte, por edhe 43-vjeçari Altin Rexha rezulton i njohur për policinë.

Me gjithë këto indicie, ku ishte policia e Kavajës? Përse një person qarkullonte lirisht me armë dhe tjetri me thikë në mes të qytetit?! Si ka mundësi që policia e Kavajës e njeh konfliktin mes dy qytetarëve dhe nuk arrin ta parandalojë krimin e rëndë, gjë që është detyra e saj? Sa i kontrollon policia personat me precedentë penalë?

Ngjarja e së mërkurës tregoi se policia e Kavajës është inekzistente për ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Duket se shefi i Komisariatit, Gazmend Demrozi, ish-punonjës i Bashkisë së Elvis Rroshit, ka tjetër përparësi në punën tij. Ai angazhohet për të qenë gati kur e thërret qeveria. Kryepolici i Kavajës ngre në këmbë policët e tij, për të qenë gati sa herë që shteti mësyn në mënyrë të paligjshme mbi një biznes privat.

Demrozi ishte i gatshëm t’i përgjigjej thirrjes së shefave të tij dhe nxori efektivët në punë në ditë pushimi, për të konfiskuar në mënyrë të paligjshme “Prestige Resort”, por nuk është aty për të mbrojtur jetën e qytetarëve të Kavajës!

Ashtu si në çdo sulm mbi biznesin privat, edhe herën e fundit në Prestige Resort, dhjetëra efektivë policie ishin të pranishëm për të mbështetur me forcë dhe për të  siguruar konfiskimin e Akuaparkut nga Drejtoria e shërbimit social. Por përveç uniformave blu, Gazmend Demrozi kishte angazhuar edhe persona të panjohur, të maskuar me kapuça të zinj që me leva e kaçavida hapnin dhunshëm dyert e objektit, pronë e “Hysenbelliu Group”, për të kryer konfiskimin e paligjshëm.

Për sa kohë policia do të angazhohet dhe do shpenzojë energji e kapacitete në shërbim të qeverisë, rendi dhe siguria publike do të mbeten në mëshirë të krimit dhe jeta e qytetarëve do të jetë seriozisht e rrezikuar dhe e pambrojtur nga askush.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb