Çfarë kanë të përbashkët Stalini, Mao, Kim Jong-Il, Tito, diktatori ynë? Të gjithë vdiqën kur ishin ende në qeverisje. Sipas politologut Milan Svolik nga Universiteti i Yale,  thuajse 80 përqind e diktatorëve të shek. XIX kanë vdekur për shkaqe natyrore. Pra shprehja “kush jeton nga shpata – nga shpata vdes”, në këtë rast duket se nuk qëndron.

Diktatorët kanë më shumë të ngjarë të vdesin nga pleqëria, sëmundjet, bie fjala një dhembkë e rrallë, sesa nga vënia përballë përgjegjësive. Sa më i ashpër diktatori, aq më e garantuar vdekja e tij natyrore.

Studiueset amerikane Kendall-Taylor dhe Frantz pohojnë se kur një regjim autokratik nis të humbasë pushtet ndodh njëra nga alternativat e mëposhtme: autokratët zëvendësohen nga udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike; elita udhëheqëse humbet kontrollin dhe zëvendësohet me një autokraci të re; ose dikush nga udhëheqja e lartë zëvendëson diktatorin dhe siguron vazhdimësinë e regjimit.

Ndoshta nuk ka shembull më të mirë sesa ne për të treguar që regjimet diktatoriale iu mbijetojnë vdekjes së diktatorëve të tyre duke “pjellë” diktatorë të rinj.

Instalimi i frikës

Një tjetër e përbashkët e diktatorëve është se të kapluar nga paranoja ata shohin gjithandej armiq imagjinarë. Vetëm në vitet ‘34-‘39 Stalini mori në pyetje, torturoi dhe ekzektuoi 1.5 milionë qytetarë. Stalini vdiq në mars të vitit 1953 pasi kishte shijuar një darkë të vonë shoqëruar me një film. Dëshmitarë të çasteve të tij të fundit rrëfejnë se sytë e tij ishin zgurdulluar të tmerruar.

Paranoja zu edhe Maon, liderin e Partisë Komuniste Kineze. Në dekadën e fundit të jetës ai u bë dyshues për çdo gjë duke i vënë njerëzit përballë familjarëve të tyre. Ata duhet t’i provonin besnikërinë udhëheqësit duke denocuar familjarë, miq, kolegë. Revolucioni Kulturor maoist shkatërroi jetën e dhjetëra milionë kinezëve. Mao vdiq në vjeshtë të vitit 1976 nga një atak kardiak. Shkruajnë se po atë fillimviti ndërroi jetë pa u lënë të mjekohej një nga miqtë e tij më të mirë. Me sa duket ligësia nuk vdes as kur diktatori është në grahmat e fundit të jetës. Madje, madje shtohet.

Kur në dhjetor të ’89-s, filluan protestat masive kundër regjimit të tij, Çaushesku mendoi se do t’ia dilte t’i zbrapste duke organizuar kundër-protesta. Por vetëm pak ditë më pas, në Ditën e Krishtlindjeve, ai dhe bashkëshortja e tij Elena u ekzekutuan pa gjyq. Një nga anëtarët e skuadrës së pushkatimit rrëfen se Çaushesku ia kishte krisur të qarit nga frika.

Për dekada me radhë diktatori ynë urdhëroi burgosjen dhe vrasjen e mendjeve më të ndritura të vendit. 59,009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, ndërkohë që 7.022 prej tyre humbën jetën. Sipas të dhënave të Institutit të Studimin të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, 6.027 shqiptarë u vranë gjatë diktaturës, ndërsa 984 të tjerë vdiqën në burgjet e regjimit.

E megjithatë diktatori u varros me nderime të larta në Varrezat e Dëshmorëve. Kur pas rënies së komunizmit trupi u zhvarros për t’u vendosur gjetkë, bashkëudhëtarja e tij në jetë e krime, siç rrëfën në librin e saj, me lot të nxehtë qe shprehur  “të ndanë nga partizanët e tu…, por ti mbetesh KOMANDANTI i tyre”.

Iluzionet “e humbura” të mbështetjes popullore

Mao krahasohej me diellin. Stalini cilësohej si “Udhëheqësi i Madh i Lokomotivës së Historisë”. Çaushesku nderohej si “Zoti laik, zemra e partisë dhe e kombit”.

Diktatori ynë që vetëm “burim frymëzimi për gjithë popujt e shtypur  dhe proletariatin botëror”. Universiteti më i rëndësishëm në vend, porti kryesor, uzina e hidrocentrale morën emrin e tij.

Kudo ku diktatori shkonte turmat brohorisnin me entuziazëm. Ndërsa kur ai vdiq të gjithë kujdeseshin të qanin … me sinqeritet. E dinin që po vëzhgoheshin.

Tre vite pas vdekjes së diktatorit, për nder të tij u përurua në kryeqytet edhe një monument 8 metra i lartë. Aq të ngarkuar ishin shqiptarët nga ajo gjëmë 45 vjeçare, sa rrëzimin e monumentit e lidhën me rënien e komunizmit. Në fakt, ra vetëm busti. Ngrehina e mëndjes, jo!

Ithtarët kujtohen, dënimet harrohen

Sot është 11 prill, dita e vdekjes së diktatorit. Për të mbyllur këto radhë dhe kuptuar sesi e kishin trajtuar vdekjen e tij, i hodha një sy medias online në 24 orët e fundit.

Nuk u surprizova. Ithatarët e tij nuk e kishin e harruar. Ja si e niste shkrimin një ndër portalet: “35 vjet më parë, më 11 prill të vitit 1985  u nda nga jeta udhëheqësi i madh e i lavdishëm i Partisë Komuniste Shqiptare, më vonë i Partisë së Punë së Shqipërisë  dhe i popullit shqiptar…”.

Sa herë kemi degjuar fjali “gjykuese” ndaj diktaturës që nuk iu mungon asnjëherë një “por”. “Ne kemi qenë gjithmonë kundër natyrës diktatoriale dhe autoritare, por është e padrejtë të thuash që çdo gjë ka qenë e mbrapshtë në komunizëm. E dini të gjithë kontributin e regjimit në luftën kundër analfabetizmit”.

Po thagmën tjetër “vetëvendosëse” të këtyre ditëve e keni ndjerë? “Asokohe vendosnim vetë për fatet tona. Tani jo po Amerika, jo po BE-ja”. Kjo nuk është retorikë social-demokratësh që shohin me idealizëm kah Suedia, Norvegjia apo Danimarka. Të mësipërmit shquajnë ende “imperializmin amerikan” të diktatorit.

Fatkeqësisht mendësia komuniste nuk u rrëzua me monumentin e diktatorit. Shqipëria vijon të mbetet një nder vendet që nuk i ka dënuar krimet e komunizmit.  Në vend të ndjesës, ka një rezistencë të fortë ndaj përballjes me krimet e regjimit.

Ndaj sot, në ditën kur kujtojmë që edhe diktatorët vdesin, ndoshta nis e zë fill reflektimi se dënimi i krimeve të komunizmit nuk është është i rëndësishëm vetëm për respektimin e viktimave të tij, por edhe për ndërgjegjësimin e brezit të ri, krijimin e një kulture të ndjesës dhe ballafaqimin e plotë me traumat e së shkuarës. Vetëm kështu do të sigurohet kohezioni shoqëror kombëtar për të cilin kemi aq shumë nevojë.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb