Nënkryetari i Partisë Demokratike Luçiano Boçi në një postim në rrjetet sociale ka shkruar se qyteti i Elbasanit, ku ai edhe kandidon në zgjedhjet lokale, është një qytet i ri në moshë, por që jeton i harruar.

Sipas tij të rinjtë në qytet janë lënë në mëshirën e kafeneve dhe se kush nuk di gjuhë të huaj për të punuar në call center punon kamarier me 200 mijë lek rrogë dhe jeton me bakshishet që merr.

Boçi shkroi më tej se bota habitet si guxojnë shqiptarët të venë jetën në rrezik dhe të ikin nga sytë këmbët, por njerëzit janë kaq të dëshpëruar sa për ta është më e pranueshme të vdesësh, sesa të mos jetosh dot asnjë ditë si njeri!

Postimi i plotë:

HEMORAGJIA E SHPIRTIT

Elbasani është një qytet i ri në moshë: mbi 20% të popullsisë e përbëjnë fëmijët, ndërsa mosha e tretë bën jo më shumë se 15%. Sado i mirë tingëllon ky lajm, e vërteta është se të gjithë jetojnë të harruar.

55 mijë fëmijë në këtë qark nuk kanë asnjë park publik ku të luajnë. 55 mijë frymë bëjnë një qytet! Ata janë motrat dhe vëllezërit tuaj më të vegjël, janë fëmijët tuaj, nipat tanë – që janë harruar se ekzistojnë!

Të rinjtë janë lënë në mëshirën e kafeneve; Kush nuk di gjuhë të huaj për në call center – punon kamarier me 200 mijë lek rrogë dhe jeton me bakshishet e një qyteti të këputur nga varfëria.

Qyteti nuk ka kinema dhe thuajse asnjë qendër tjetër që të zbavisë, rrisë mendërisht dhe shpirtërisht më të rinjtë.

Bota habitet si guxojnë shqiptarët të venë jetën në rrezik dhe të ikin nga sytë këmbët?! Por njerëzit janë kaq të dëshpëruar sa për ta është më e pranueshme të vdesësh, sesa të mos jetosh dot asnjë ditë si njeri!

Shumë qytetarë kanë marrë lekë borxh dhe kanë nisur fëmijët jashtë! Po a është kjo zgjidhja?!

Xhoi është një vajzë e re e këtij qyteti. Ajo ka mbaruar fakultetin e infermierisë. Nëse ajo ikën sot në Itali, në rastin më të mirë do ta ketë rrogën 1.500 euro. Prej këtyre 1.200 i duhen për të jetuar. Sikur gjithcka të shkojë mirë, Xhoi do të arrijë të kursejë 300 euro/muaj. Në një vit këto bëjnë 3.600 Euro. Hiq dy tre udhëtime në shtëpi dhe ndonjë dhuratë për njerëzit që ka larg, në një vit Xhoi mundet të kursejë 2.000 euro. Dhe kaq!
Nëse Xhoi jeton në Elbasan dhe paguhet 750 – 800 Euro – ajo ka mundësi që të kursejë po aq para’ dhe të jetojë shpirtërisht më mirë, më e plotë, më e kënaqur.

Hektori është nga Dumreja. Për dy vjet ai ka bredhur detrave me kruizerët e mëdhenj turistikë të Costa Crociera. Me kursimet e tij ka blerë një shtëpi. Për dy vjet ka jetuar në anije, nuk ka harxhuar asnjë lek dhe ka zhytur në gjoks dhimbjen e largësisë nga njerëzit e dashur. Sot ai jeton në Elbasan, ka krijuar familje dhe herë pas here ofshan me dhimbje: nuk na del të jetojmë si njerëz!

Partia Demokratike ndërtoi rrugën që lidh Elbasanin me Tiranën dhe njerëzia besuan me të drejtë se Elbasani po bëhej një lagje e kryeqytetit. Politika socialiste që përndoqi – i zhgënjeu të gjitha palët dhe ende sot një banesë në Elbasan kushton tre herë më lirë se në Tiranë. Nëse do të kishte politika që favorizonin transportin, kjo mund të ishte pikë avantazhi për Elbasanin. Por nafta në Shqipëri kushton më shtrenjtë se në Itali.

Në këto vite, qeveritë Rama kanë marrë borxh 2 miliard dollar dhe kanë nënshkruar 800 milion të tjerë për koncensionet dhe PPP-të. Tërmeti gjithashtu u shndërrua në një vatër korrupsioni politik për blerje votash dhe vjedhje fondesh.
Falë qeverisë Rama – seicili prej nesh ka sot gati 1.500 EUR borxh më shumë.

Jo vetëm mbi 65% e ekonomisë është informale në këtë vend. Tregu i punës është edhe më keq se kaq. Profesionistët dhe të shkolluarit ndëshkohen me taksa deri në 23%. Qeveria bën çdo gjë për të rrëzuar shpirtin që mbështet rehabilitimin e ligjit. Në kushtet e dëshpërimit njerëzit e kanë më lehtë të ikin.

Një ligj për amnistinë fiskale po bën gati të formalizojë një mal me para’ të pista që miqtë e kryeministrit kanë sjellë dhe po sjellin nga jashtë, në ngarkesa kriminale.
Po ashtu, duke hequr vizat për shtetasit kinezë dhe duke lehtësuar procedurat e vizave për Azinë, Rama po zëvendëson shqiptarët që ikin masivisht me bangladeshas dhe nepalezë, në kantieret e klientëve të tij.

Ka vite që motoja e qeverisë është: E kujt i duhen shqiptarët?!

Të gjithë këto shembuj dëshmojnë vetëm një fakt: Xhoit, Hektorit dhe gjithë të rinjve të Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë nuk ju duhet thjesht një punë. Nuk ju duhet thjesht një shkollë apo një rrogë e besueshme. Atyre ju duhet një atdhe’, një vend që mendon për ta, që bën vend për ta. Atyre ju duhet një qytet që i do dhe një shtet që i respekton dhe mbështet.

E vërteta është ky vend është i pasur nëse di të mbajë, të përfshijë dhe t’u japë një rol qytetarëve të tij. Ky vend është i pasur për burimet natyrore dhe njerëzore që ka.
Ky vend është i pasur nëse nuk qeveriset nga hajdutët!

Të jesh i ri është fat! Të jesh një i ri me fat – është produkt i sistemit. Jemi gjithmonë në kohë për t’ju dhuruar të rinjve tanë një atdhe’.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: