Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, foli mbi atmosferën e fushatës elektorale dhe ndikimin e strategut amerikan Chris LaCivita, i njohur për rolin e tij në fushatën fituese të presidentit të SHBA, Donald Trump.

Alizoti shprehu optimizëm të madh për javët e mbetura, duke theksuar se surprizat më të mëdha priten në fund.

“LaCivita mendoj se do ketë surpriza pozitive për forcën tonë. Javët e fundit janë decizive. Lajmi bombë duhet të vijë në javën e fundit për të prodhuar më shumë perceptim te njerëzit,” tha ai.

Duke përshkruar atmosferën në terren, Alizoti theksoi se fryma e re që po ndjehet është natyrale. “Në fillim isha skeptik, por tani shoh një ngritje të habitshme. Mitingjet janë të mbushura me njerëz të cilët nuk paguhen, janë aty nga vullneti i tyre,” shtoi ai.

Sipas Alizotit, Partia Demokratike ka rigjetur energjinë dhe vitalitetin që i duhet për të përballuar pushtetin aktual. “PD është e vetmja mundësi që të ndryshojmë këtë qeveri,” përfundoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb