Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar mbi situatën ekonomike në të cilën ndodhen familjet shqiptare në prag të festave të fundvitit, teksa është shprehur se shqiptarët presin shpresë, alternativë dhe mundësi të reja, referuar zgjedhjeve që do mbahen më 14 maj.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tabaku ka shkruar se inflacioni, borxhi i lartë publik, mbi taksimi i bujqësisë dhe turizmit janë disa nga problemet më kryesore, po ajo e largimit të shqiptarëve është akoma më shqetësuese.

“Në fundvit shqiptarët presin shpresë, alternativë dhe mundësi të reja!

Sot, ekonomia shqiptare është në vështirësi sa prej faktorëve të jashtëm por më shumë prej faktorëve të brendshëm.

Parajsa e arritjeve imagjinare që thotë që viti po mbyllet mirë, dhe që normalizon vështirësitë që sot po kalojnë familjet shqiptare nuk ndihmon askënd.

Sot, kemi inflacionin (rritjen e çmimeve) më të lartë në rajon dhe më gjerë 8.3 %, kemi një rritje të jashtëzakonshme të kësteve të kredisë të papërballueshme për xhepat e familjeve shqiptare dhe bizneseve.

Kemi borxhin më të lartë në rajon që po arrin 100% të PBB. Kemi çmimet më të larta të karburanteve që me bordet komuniste po rrisin kostot e prodhimit e kostot e bizneseve.

Unë refuzoj ta besoj se ajo që ofron sot qeveria është ndërtimi dhe krenohen se sot po ndërtohet me burime financiare informale që në fakt po e shkatërrojnë ekonominë.

Bujqësia dhe turizmi dy sektorë që kanë 40 % të PBB sot janë të mbitaksuar, të nënfinacuara e të pavlerësuar!

Sot, sfida e ekonomisë shqiptare është largimi, emigrimi dhe pa ofruar alternativa për shqiptarët për të investuar këtu, pa vlerësuar punën, pa ofruar meritokraci Shqipëria do të përballet me rënie të krahut të specializuar të punës e me rritjen e moshës mesatare e cila sot është avantazhi konkurrues që ka Shqipëria në rajon.

Ditët e fundit të vitit doja të dëgjoja se cilat janë sfidat e si do jenë zgjidhjet dhe refuzoj ta besoj që ato do të vijnë nga ligji lojërave të fatit dhe amnistia fiskale.

Vitin e ardhshëm ekonomia duhet të ketë shpresë, duhet të krijojë mundësi! Se ka një  Shqipëri që do të zhvillohet, që do të ndryshojë, ka një Shqipëri që do të punojë por fatkeqësisht me këtë model ekonomik e korrupsion nuk mundet!”, ka shkruar Tabaku në Facebook.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: