Partizani pret akoma nga merkatoja e verës, ndaj përforcimet priten deri në afatin përfundimtar të këtij procesi. Përforcime kërkohen thuajse në çdo sektor, përveç portës, por për momentin gjithçka është në kuadrin e emrave. Trajneri Skënder Gega e ka pranuar së fundmi se klubi është në bisedime me disa lojtarë, bisedime të cilat po kryhen në konfidencë të plotë.

Një nga tratativat e merkatos së “demave” është zbuluar nga mediat nigeriane, të cilat kanë njoftuar se Partizani dhe Kukësi janë në garë për të fituar shërbimet e një sulmuesi 20-vjeçar, që aktualisht luan në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili ka qenë një nga të preferuarit e Diego Maradonës, kur ai ishte trajner i skuadrës Al-Fujairah SC. Pikërisht, bëhet fjalë për Kuti Ademola, 20 vjeç, i cili kërkohej me ngulm nga ukrainasit e FC Olimpik Donjetsk. Sulmuesi, 190 cm i gjatë, ishte shumë pranë kalimit në Ukrainë dhe gjithçka ishte mbyllur mes palëve, por transferimi i tij dështoi për shkak të mospajisjes me vizë.

Sipas asaj që raportojnë mediat nigeriane, lojtari e ka pohuar vetë se për shkak të mospajisjes me vizë ai ka humbur disa shanse për t’iu bashkuar disa skuadrave për provë në fazën përgatitore. Kukësi dhe Partizani janë klubet shqiptare që kanë shfaqur interes për zbulimin e Maradonës, por Ademola mësohet se kërkohet edhe nga Hamrun Spartan në Maltë dhe Kashima Antlers në Japoni. Diego Armanda Maradona ka qenë promovuesi i sulmuesit nigerian në Emiratet e Bashkuara Arabe, i cili e pikasi te të rinjtë e klubit që ai drejtonte, ku në një sezon shënoi 22 gola në 18 ndeshje. Ndonëse rregullat në këtë kampionat ishin të strikte, pasi lejoheshin vetëm dy të huaj në ekipin e parë, mësohet se legjenda e futbollit argjentinas vuri veton për ta afruar Ademolën në ekip të parë.

Por, pas largimit të Maradonës në Bjellorusi ka ndryshuar situata për sulmuesin 20-vjeçar, i cili ndihet i pakënaqur me trajtimin që po i bëjnë tek Al-Fujairah, ndaj kërkon të largohet. Ka zëra se i piketuari i dy skuadrave shqiptare mund t’i bashkohet Maradonës te Dinamo Brest në Bjellorusi, por Partizani dhe Kukësi mund ta bëjnë të tyrin nëse e pajisin me vizë sulmuesin.

Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ne-gjurmet-e-beniaminit-te-maradones-partizani-dhe-kukesi-duan-nigerianin-20-vjecarpartizani-dhe-kukesi-duan-beniaminin-e-diego-maradones-u-zbulua-nga-legjenda-argjentinase/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: