Ramis Mici, i cili vrau bashkëjetuesen e tij Jetlira Elezi më 30 korrik në Elbasan është shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike ditën e sotme në seancën gjyqësore ku ka dalë për masën e sigurisë.

I pyetur në gjyq për të dhënat kryesore, ai nuk ka ditur të thotë as vendbanimin dhe as datëlindjen e tij.

Mici ka pohuar se ka qenë i dënuar më parë për dhunë në familje dhe ka kërkuar avokat nga shtetit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Skënderbej” të Elbasanit më 30 korrik. Jetlira Elezi u qëllua për vdekje me thike nga bashkëjetuesi i saj 37-vjeçari Ramis Mici. Pasi e qëlloi, Mici e la gruan të mbuluar me gjak në banesën ku jetonin me qira dhe u largua prej aty me shpejtësi. Ishin pronarët e shtëpisë që e gjetën të pajetë gruan në mes të dhomës.

Të dy bashkëjetuesit vinin nga martesa të mëparshme që kishin përfunduar në divorc dhe kishin edhe fëmijë. Jetlira Elezi ishte dhunuar edhe me herët nga bashkëjetuesi, madje kishte kërkuar edhe ndihmën e policisë, e cila pasi e shoqëroi për disa orë dhunuesin e kishte lënë të lirë.
Motiv i krimit dyshohet të ketë qenë xhelozia në çift. Ndërkohë, autori i krimit u arrestua më 31 korrik nga policia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb