Në shumë media, ka një rendje, një dihamë, një garë, një lëbyrje për të botuar e ribotuar kujtimet e Nexhmije Hoxhës. Po të pyesësh pse ndodh kjo, të përgjigjen: “Po ja, këto klikohen, lexohen, i kërkon publiku”. Në këtë rast, të dyja palët po bashkëpunojnë në revizionimin dhe modifikimin e një epoke kriminale. Ata po masturbohen me mashtrimin hakmarrës që u ofron zonja plakë. Ajo po përqesh iluzionin tonë për liri e demokraci. Mbi plagët e shqiptarëve-viktima të sajgjuan gëlbazë e cinizëm të ftohtë. Nexhmija po sillet si fitimtare. Edhe shoqëri e kombe të emancipuara kanë pasur përgjatë historisë rrëshqitje të mëdha në zona krimi dhe tiranie, duke ndjekur nga pas përbindësha gjakatarë.

Ndryshe nga ne, Gjermania, Italia, të Pasluftës së Dytë apo të tjera vende të Europës Lindore, pas asaj të së Ftohtës (luftës), ia kanë dalë të krijojnë modelin e reflektimit, të ndarjes, të purifikimit dhe mbi të gjitha të drejtësisë. Ata nuk e estetizuan dhunën totalitare, luftën e pushtimet. Përkundrazi. Shqipëria, në 30 vite liri, ka konsumuar vetëm retorikën e dekomunistizimit pa e kryer kurrë atë proces. Jo vetëm kaq, por nuk e patën kurrë seriozisht atë, as e djathta, për të cilën pritshmëritë ishin më të larta e as e majta, e cila nuk u nda kurrë prej së vërteti me partinë e Enverit për të ruajtur bazën elektorale. Vend i vogël ky i yni me krime kaq të mëdha e të kobshme, saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban. Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si shtet për t’u përballur me to, zgjodhëm një rrugë, atë më të pështirën, por të lehtë ama: harresën, tjetërsimin, anashkalimin. Enver Hoxha nuk ka qenë kurrë budalla.

Ky demiurg i së keqes ia doli të përpunojë antropologjikisht e ideologjikisht një pjesë të mirë të shoqërisë sonë, duke shfrytëzuar një sërë vakumesh historike, aq sa e shndërroi atë në bashkëpunëtore në krimet e veta, në mbrojtëse të tyre. Njësoj si xhelatëve që iu dha në dorë pushkën, prangat, hurin, litarin, torturat, të tjerëve u dha pendën (por jo talentin e dijen), që të bëhen historianë, shkrimtarë, manipulatorë, vrasës të së vërtetës, çambelanë të tij dhe të gruas së tij në atë jetë dhe në këtë. Këto dy kategori, pas ndryshimeve të vitit 1990, pas njëfarë stepjeje dhe pritjeje, u ringritën, u organizuan në një rezistencë të admirueshme kundër turpit e fajit, në mbrojtje të regjimit, të mekanizmit dhe emblemave të tij. Falë Zotit, pos tyre ka edhe një Shqipëri tjetër, dinjitoze e martire, atë të qëndresës, të burgjeve dhe internimeve, të cilët sot kanë të drejtë të thonë me zë të lartë, që kur të tjerët bashkëpunuan me krimin dhe u bënë vetë dora e tij, ata zgjodhën përballjen, anën e lirisë kundër tiranisë.

Por kjo Shqipëri e At Zef Pllumit, Sami Repishtit, Arshi Pipës, Ejll Çobës, Amik Kasaruhos, Agim Mustës, At Konrad Gjolajt, Pjetër Arbnorit, Uran Kalakulës, Trifon Xhagjikës, Musine Kokalarit, Havzi Nelës, Ahmet Bushatit, Uran Kostrecit, Fatos Lubonjës, Spartak Ngjelës, Vera Bekteshit, Visar Zhitit, Ahmet Bushatit e shumë të tjerëve, autorë e rrëfimtarë që të ndalin frymën me kumtin e tyre për bëmat e njeriut gjatë diktaturës, nuk bëkësh lajm, nuk merrka klikime, nuk e dashka lexuesi e publiku.

Po pse? Se e vërteta i bën të lirë, por liria kërkon dinjitet e reflektim, distancim nga krimi, kurajë për t’i thënë gjyshit e babës, “po, ti ishe kriminel, barbar, dhunues, jam gjaku juaj, por dënoj historinë tuaj”. Jo, more jo. Asnjë s’e bën këtë. Përkundrazi, tallashiten në përpjekje legjitimuese e zulmë krenarie. Falë atyre mbiemrave bëhen ministra, deputetë, kryebashkiakë, drejtorë, etj. Lexuesi nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, ndaj skutave të ndërgjegjes kërkon justifikim, tjetërsim, kërkon vetë të drejtën historike që e rrëmbyen me forcë. Atë ua jep Nexhmija me kujtimet e veta. Jo vetëm kaq, shumë më tepër ajo u riformulon identitetin dhe kauzën, vetë semantiken e së djeshmes dhe të së nesërmes.

E trishtë ta thuash, por ne si shoqëri i meritojmë ato kujtime. Janë të duhurat. Gabim nëse Besa Shahini, me dijet e mëdha që e karakterizojnë, nuk insiston t’i fusë në tekste shkollore. Po kaq e rëndë do të jetë për Akademinë zhdanoviane të Gjinushit nëse vonohet në shpalljen e simpoziumeve për këtë vepër. Sa keq që Kumbaro nuk është më ministër! Ajo bëri dy muzeume retushimi të komunizmit dhe nuk do ta linte rastin t’i ikte kështu si pa të keq, pa e shpallur këtë si vitin e Nexhmijes. Me to (kinse kujtimet) shpjegohet shumëçka, sjellja jonë në robëri e në liri, nënshtrimi, thyerjet dhe paktet e heshtura. Pajtimi me të keqen dhe lehtësia për t’i bërë asaj Marshallah! Me to, qëllimi justifikon mjetin, vetë krimin e dobishëm që të mban në pushtet. Viti i botimit dhe i leximit të tyre është një datë me rëndësi domethënëse, sepse është moment kur lajmë fytyrën me të pëgërat e diktaturës. Pastaj i murrëtehemi Europës pse nuk na pranon, pse na ka zët, pse, pse, pse! Ajo i ka shqisat e forta dhe na e sheh ç’kemi mbi surrat. “S’e kam kuptue kurrë,- shkruante motit frati i kujtimeve,-sesi një popull kaq i vogël asht i zoti me qitë kaq shumë rrugaça!”. Për ata që nuk ngopen, Zoti po ua lë të gjallë Nexhmijen deri në sfilitje, si fantazmë e krimeve të veta./ panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb