NGA OLA MITRE

TIRANE- Të gjithë banorët e një sisë administrative nr.5 në kryeqytet do të pajisen me një kartë të posaçme parkimi që do t’i garantojë një vend të sigurt për makinën e tyre”. Lajmi është bërë me dije nga vetë kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili e cilësoi këtë masë si një hap për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës së ish-Bllokut e të Tiranës së Re, që më së shumti vuajnë nga mungesa e vendparkimeve.

“Për herë të parë do të fusim edhe një sistem të ri të menaxhimit të hapësirave publike, si për parkingjet. Qytetarët do të pajisen me kartën e rezidentit dhe vetëm banorët e kësaj lagjeje do të kenë parkimin e tyre të garantuar. Kjo është një ide që funksionon në të gjitha vendet e tjera. Është një mënyrë për t’u ndarë nga kultura ku e gjithë lagjja ‘blindohej’ me mjete rrethanore dhe për të sjellë një kulturë të re, ku njësia administrative emeton kartën e rezidentit dhe secilit banor i garantohet vendi i parkimit”, – u shpreh Veliaj.

Ndërkaq, burime zyrtare brenda Bashkisë së Tiranës, thanë për “Gazeta Shqiptare” se kartat do të mundësojnë parkimin pa pagesë dhe në të njëjtën kohë do të ndihmojnë edhe në përmirësimin e trafikut. Të njëjtat zëra, bënë me dije se për makinat e tjera, që nuk u përkasin banorëve të zonës, do të ndërtohen parkime publike, që do t’u sigurojnë një vend për të lënë makinën. Megjithatë, ata saktësuan se projekti është ende në fazën e diskutimit dhe nuk ka një afat konkret për nisjen e ndërtimit të këtyre parkingjeve, por siguruan se punimet do të fillojnë shumë shpejt. Shembulli që do të ndiqet në këtë rast është ai i sheshit “Italia”, ku aktualisht është duke u ndërtuar një parkim publik me pagesë. Dy ditë më parë, Veliaj saktësoi se “çdo e ardhur nga parkingu publik i bashkisë do të investohet në korsi biçikletash dhe gjelbërim për qytetin”.

HAPËSIRAT PUBLIKE Veliaj ka inspektuar nga afër edhe aksionin për lirimin e hapësirave publike, në njësinë administrative nr.5, ndërsa theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që të gjitha hapësirat e liruara në fazën e parë të aksionit, t’ua kthejë qytetarëve në mjedise të reja çlodhëse, lulishte e kënde lojërash. Konkretisht, në bllokun e pallateve në rrugën “Merdar Shtylla”, po bëhet rikualifikimi i të gjitha hapësirave mes pallateve, përfshirë: rrugët, trotuaret, ndriçuesit, koshat e mbeturinave dhe lulishtet.

Duke e konsideruar një histori suksesi aksionin e zhvilluar në njësinë 5 për lirimin e hapësirave publike, Veliaj tha se janë liruar shumë hapësira që deri dje konsideroheshin si të paprekshme. “Unë kam qenë në këtë zonë edhe gjatë kohës së fushatës, një zonë që ka pasur probleme të vazhdueshme, bllokime rrugësh, zënie të hapësirave. Më vjen mirë që mentaliteti i të fortit nuk ekziston më në Tiranë. Sot, të fortë quhen ligji, shteti dhe qytetari”, – tha Veliaj. Po ashtu, ai tha se, krahas bllokut të banimit në rrugën “Merdar Shtylla”, do të ndërhyhet edhe në 4 blloqe të tjera.

“Ky që po rehabilitojmë sot është vetëm njëri nga blloqet kryesore. Në njësinë 5 do të kemi 5 blloqe të tilla”, – tha kreu i bashkisë. Por, ai ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për lehtësimin e aksioneve të ndërmarrjeve të bashkisë, si dhe të ruajnë ambientin e përbashkët. “U kërkoj të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë teksa ne bëjmë punimet, sigurohemi se kultura kur diçka që prishej lihej siç ishte, e prishur, për t’u bërë akoma më keq, tashmë ka mbaruar. Këto punime nuk bëhen me bamirësi, por me taksat e qytetarëve, dhe për sa kohë që bëhen me paratë e tyre, qytetarët duhet të jenë të parët që t’i ruajnë”, – theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: